Ish-ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit, Daniel Fried, thotë se situata e krijuar në veri të Kosovës i ka rrënjët tek mospranimi nga Serbia i realitet të pakthyeshëm të pavarësisë së Kosovës.
Megjithatë, në një intervistë për Zërin e Amerikës, ai theksoi se përgjegjësia për vendimarrjen që çoi në incidentet e fundit rëndon mbi Kosovën.
Fried, një diplomat karriere me një përvojë prej disa dekadash në Departamentin e Shtetit thotë se Uashingtoni ka të drejt të jetë i zemëruar me qeverinë e Kosovës dhe se qëndrimet e fundit të Shteteve të Bashkuara dëshmojnë për thyerjen më të madhe në raportet e saj me Kosovën.
Ish-diplomati amerikan thotë se Qeveria e Kosovës duhet ta pranojë se ka gabuar dhe të tërhiqet.
“Në të njëjtën kohë, kriza e tanishme duket se është shkaktuar nga gabimet e Qeverisë së Kosovës. Pra, në tërësi, Serbia mund të ketë përgjegjësi, për këtë gjendje të çuditshme, por kriza e tanishme është diçka që ka shkaktuar, do të thosha, zemërimin e Shteteve të Bashkuara”, tha ai.