Ish-ambasadori i Kosovës në Bullgari, Edon Cana, vlerëson se kryeministri Kurti i ka bërë dëm të pariparueshëm Kosovës me veprimet e tij në veri.
“Veprimet që i ndërmerr në veri që nga fillimi i mandatit të kryeministrit Kurti e deri më sot nuk i ka të koordinuara. Janë arbitrare, unilateral dhe të papërgjegjshme. Mësimi duhet të jetë në kurriz të këtij populli, të Kosovës, sepse dëmi që i është bërë Kosovës si në planin e brendshëm, si atë të jashtëm është i pariparueshëm në afatin kohor imediat apo afatmesëm, i cili ka cenuar një raport i cili garanton jo vetëm sigurinë e Kosovës por edhe avancimin e Kosovës në skenën ndërkombëtare”, ka thënë Cana.
Sipas Canës, me këto veprime Kurti i ka bërë një dhuratë serbëve që punojnë me direktiva të Vuçiqit.
“Pra SHBA dhe aletatët tjerë të Kosovës, sot fatkeqësisht nuk kanë më besim në kryeministrin Kurti dhe ky besim i rrënuar vështirë që do të rikuperohet për një periudhë shumë të gjatë, por më e keqaj është se Kosova do ta paguajë çmimin. E thashë që dëmi është në nivel të brendshëm. Niveli i brendshëm është që i është bërë një dhuratë presidentit Vuçiq dhe serbëve që punojnë në veri me direktivat e tij, të cilat janë të fuqizuara tani”, ka thënë Cana në Ditari në Tëvë 1.
Madje sipas tij është fuqizuar edhe rezoluta 1244.
“Veprimet në veri e kanë suspenduar shtetin e Kosovës, e kanë fuqizuar rezolutën 1244 dhe institucionet të cilat nuk janë marrë me sigurinë në veri”, ka deklaruar diplomati.