Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani u ka bërë lutje qytetarëve të Kosovës, veçanërisht të rinjve, që të mos braktisin Kosovën pas një janarit të vitit 2024.
E ftuar në “Radar” të Radio Dukagjini, Osmani ka thënë se hapat ndonëse të vegjël, po vazhdojnë të rriten drejt disa hapave gjigand e përmbajtësor.
“I lus qytetarët tanë, veçanërisht të rinjët që të mos ta humbin shpresën në Kosovën. Hapat mund të duken të vegjël por e rëndësishme është që jemi në rrugë të drejtë, hapat do të rriten. Do të bëhen më të mëdhenj dhe më përmbajtësor”, ka thënë Osmani.
Tutje, presidentja Osmani numëron dy hapa të cilat sipas saj, duhen realizuar në Kosovë.
“Mund të ketë raste shtesë mirëpo shumica e njerëzve që kanë dashur të provojnë veten edhe jashtë vendi në profesionet e tyre tashmë kanë shkuar përmes vizave të punës, disa prej tyre po kthehen disa jam e bindur se do të kthehen me kohë. Është sfidë e madhe ikja nga vendi, kryesisht problemi është çështja me nivelin e pagave se nuk është që mungojnë vendet e punës edhe pse janë profesione shumë të caktuara u po kërkohen punëtor. Duhet t’i bëjmë 2 gjëra, e para, çdo vit të rriten pagat jo vetëm në sektorin publik por edhe të nxitet ngritja e pagave në sektorin privat sepse aty punojnë shumica e puntorëve. Dhe e 2-ta të sigurohemi të ketë përputhje në mes asaj çka prodhojnë universitetet me atë çka e kërkon tregu i punës”, ka thënë ajo.