Java Ndërkombëtare e Muzeve u kremtua me një koncert të rrallë sivjet, nga Muzeu i Mitrovicës. Koncerti nga kitaristi Petrit Çeku shënoi kulmin e aktiviteteve nëpër muzetë e Kosovës. Virtuozi është rikthyer në Kosovë për 2 koncerte të rralla: i pari në Mitrovicë dhe i 2 në Prizren.
Kitaristi Petrit Çeku interpretoi të gjitha suitat e shkruara për violonçel nga kompozitori Johann Sebastian Bach e të transkriptuara për kitarë nga Valter Deshpali, instrumentist virtuoz e pedagog i cili u nda nga jeta muajin e kaluar.
Pak kohë më parë Petrit Çeku u shpall fitues i çmimit “Porin” në kategorinë “Interpretimi më i mirë klasik për interpretimin e ‘Ommagio a Marko Ruždjak, Op. 17’ nga Goran Listeš”, botuar nga “Croatia Records”.
Petrit Çeku është një instrumentist virtuoz që ka realizuar bashkëpunime me emrat më të njohur të instumentistëve botërorë.
Të enjten ai ofroi një përvojë krejt ndryshe për spektatorët duke performuar në hapësirën muzeale. I njëjti koncert do të mbahet edhe në Prizren, më 20 maj, në Katedralen “Zoja Ndihmëtare”.