Eurodeputeti austriak, Lukas Mandl, shfaqi bindje të plotë se s’ka lider në BE që e lejon hyrjen e Serbisë në Union pa e njohur Kosovën.
“Rruga e Kosovës drejt BE-së dhe organizatave ndërkombëtare, përfshirë OKB-në, do të hapet politikisht. Kërkon lidership të vërtetë. E njëjta gjë vlen edhe për rrugën e Serbisë drejt BE-së. Asnjë lider i vërtetë në asnjë nivel nuk do ta lejojë Serbinë të bëhet anëtare e BE-së pa e njohur Kosovën. Dhe Serbia zyrtarisht nuk ka fuqi për të bllokuar që Kosova të bëhet shtet anëtar i OKB-së”.
Mandl thotë se vetëm mungesa e lidershipit është ende arsyeja pse Kosova nuk është bërë ende anëtare e OKB-së dhe Këshillit të Evropës. Do të nevojiten vendime të guximshme”, tha Mandl
Për çështjen e Asociacionit, eurodeputeti austriak thotë se duhet merret për model një zgjidhje që është gjetur në mes të vendit të tij dhe Italisë.
“Rekomandimi im është që të marrim si shembull Tirolin e Jugut dhe nëse është e nevojshme ta përshtatim atë me situatën ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Në histori ishte shumë e vështirë. Por sot askush nuk dyshon se Tiroli i Jugut është pjesë e Italisë dhe në të njëjtën kohë Austria luan një rol unik për Tirolin e Jugut. Dhe popullsia e Tirolit të Jugut ka të drejtat e veta, për shembull në lidhje me gjuhën. Dhe në të njëjtën kohë është plotësisht nën ligjin dhe juridiksionin italian dhe europian”.
Mandl ka komentuar marrëveshjen e fundit mes Kosovës dhe Serbisë, të cilën tha se po e sheh si dëshmi se kur BE-ja angazhohet mund të sjellë ndryshim.
“Unë i vlerësoj deklaratat e udhëheqjes së BE-së në koordinimin e kësaj [marrëveshje]. E kam vlerësuar planin që u quajt joformalisht propozimi franko-gjerman. Mendoj se rolet e Borrellit, Vahelyit dhe Lajcakut janë goxha të vështira, sepse Vuçiq ka hezituar të kontribuojë për ndonjë përparim. Vetë Vuçiq tha publikisht se do të lëvizte për shkak të presionit të BE-së. Kjo është prova më e mirë se BE-ja mund të bëjë një ndryshim për më mirë për të gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor”.
A mund të shpëtojnë palët nga detyrimet e marra nga kjo marrëveshje për faktin se ajo nuk është nënshkruar?
“Nuk bëhet fjalë për “ikje”, është një proces i gjatë të cilin ne të gjithë duhet ta ndjekim: Unë shpresoj thellë në njohjen e Kosovës nga Serbia. Kjo do t’i hapë rrugën rinisë së Serbisë dhe gjithë rajonit për një të ardhme më të mirë. Sepse atëherë gjërat mund të bien në vendin e duhur – si njohja e pesë shteteve mosnjohëse që ka kohë që ka vonuar, si anëtarësimi i Republikës së Kosovës në shumë organizata ndërkombëtare e shumë më tepër”.