Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka përkujtuar 24-vjetorin e masakrave në Pastaselë të Rahovecit dhe në Burim të Malishevës, përcjell InLajmi.
“Sot kujtojmë masakrën e kryer nga forcat e regjimit gjenocidal të Serbisë në Pastaselë të Rahovecit, me ç‘rast u vranë dhe u masakruan 106 banorë të këtij fshati dhe fshatrave përreth. Në të njëjtën ditë në Burim të Malishevës, u vranë dhe u masakruan 42 civil”, tha Osmani.
Osmani theksoi se dhembja vazhdon të jetë po kaq e madhe sikur në ditën e vrasjes së këtyre civilëve, ndërsa kujtimi për ta i përhershëm.
“Drejtësia për viktimat e regjimit serb dhe zbardhja e fatit të të zhdukurve me dhunë janë kërkesa të përhershme tonat, nga të cilat ne nuk heqim dorë”, është shprehur presidentja Osmani./InLajmi/