Drejtori i Zyrës për Kosovë, Petar Petkoviq, ka reaguar ndaj deklaratës së kryeministrit, Albin Kurti se nuk do ta lejojë hyrjen e presidentit të Serbisë Aleksandër Vuçiq në Kosovë, ndërsa theksoi se këtu Kurti nuk pyetet dhe kujtoi ai se ka marrëveshje të nënshkruara që e rregullojnë këtë çështje, transmeton InLajmi.
“Nervozizmi Albin Kurtit po përshkallëzohet çdo ditë për shkak të marrëveshjes së Ohrit prej nga u kthye pa kurfarë nënshkrimi e as njohje nga Beogradi, por me obligime për ta formuar Asociacionin. Prandaj kot mburret se mund ta ndalojë vizitën e presidentit Aleksandër Vuçiq popullit serb në Kosovë edhe pse ai nuk pyetet për këtë”,thuhet në njoftimin e Petkoviqit.
Tutje ka theksuar Petkoviq se në takimin në kuadër të dialogut para takimit në Ohër, është rënë dakord qartë që të zbatohen të gjitha marrëveshjet e paraprake, prandaj edhe ekziston marrëveshja për vizitat zyrtare, sipas së cilës Prishtina mund të njoftohet për vizitën e zyrtarëve serb në Kosovë, por nuk e miraton e as nuk mund ta ndalojë.
“Deklaratat e tilla të Albin Kurtit më së miri tregojnë se me çfarë faktori përçarës ballafaqohet Beogradi gjatë gjithë kohës në dialog. Është e qartë se Kurti nuk dëshiron dialog dhe po përpiqet në çdo mënyrë të shmangë formimin e Asociacionit, por Kurti mund t’i shesë marifetet e tij ndoshta në treg por jo diku tjetër. Është e qartë se Kurti ka frikë nga vizita e Vuçiqit, sepse e di se sa do të thotë ajo për popullin serb në Kosovë. Kurti shkon në zonat serbe fshehurazi dhe me mashtrim dhe kthehet turi varur dhe pa përfunduar punë”, thuhet në deklaratë. /InLajmi/