Princ Harry ka bërë një udhëtim të papritur drejt Britanisë së Madhe, për të marrë pjesë në një seancë gjyqësore, dhe duket se edhe këtë herë dramat e familjes mbretërore nuk kanë të sosur.
Askush nuk e priti Harry-in, përfshirë këtu mbretin Charles për të cilin thuhet se ishte “shumë i zënë”. Pallati Mbretëror tha se Mbreti nuk ishte në Windsor apo Londër dhe do të nisej për një vizitë shtetërore në Gjermani të mërkurën në mëngjes. Kjo vizitë do të ishte vizita e parë zyrtare që nga kurorëzimi i Charles pasi kujtojmë se vizita në Francë u anulua për shkak të protestave për rritjen e moshës së pensioneve.
Nga ana tjetër Princi dhe Princesha e Uellsit dhe fëmijët e tyre George, Charlotte dhe Louis nuk janë në Windsor pasi po festojnë Pashkën.
Duka e Sussex-it mbërriti në Londër mëngjesin e djeshëm, teksa u pa në Gjykatën e Lartë dhe mendohet se kjo është hera e tij e parë në Britani, që pas funeralit të gjyshes së tij të ndjerë, mbretëreshës Elizabeta.
Ky rikthim i befasishëm dhe mungesa e një pritjeje standarde nga ana e monarkëve thuhet se vjen për shkak të marrëdhënies së trazuar me babanë dhe vëllain e tij, princin William, e cila duket se u përshkallëzua pas publikimit të autobiografisë së përfolur të Harry-t me titull “Spare”.
Ndërkohë pritet konfirmimi i Harry-t dhe Meghan-it për pjesmarrjen e tyre në kurorëzimin e mbretit Charles dhe mbretëreshës Camilla vetëm 6 javë më vonë, shkruan Living shqip.
Në fillim të këtij muaji, një zëdhënës i Sussex-it tha: “Mund të konfirmoj se Duka ka marrë së fundmi korrespondencë me e-mail nga zyra e Madhërisë së Tij në lidhje me kurorëzimin. Vendimi nëse Duka dhe Dukesha do të marrin pjesë nuk do të zbulohet nga ne në këtë moment.”