Bordi Ekzekutiv i Komitetit Olimpik të Kosovës, nën udhëheqjen e kryetarit Ismet Krasniqi, ka mbajtur mbledhjen e 24-të të tij, në të cilën u shqyrtuan pika të ndryshme të rendit të ditës.
Ndër temat e diskutimit ishte edhe mbështetja për mundësit e rinj të Kosovës që ndodheshin në Turqi kur ndodhi tërmeti shkatërrues pak kohë më parë.
“Bordi Ekzekutiv vendosi të mbështesë mundësit e rinj me dërgimin në një kamp rehabilitimi pas traumave të pësuara gjatë tërmetit në Turqi”, thuhet në njoftimin e KOK-ut.
Mundësit nga Kosova ndodheshin në Kahramanarash për një turne ndërkombëtar.
Tërmeti shkatërrues që goditi Turqinë dhe Sirinë i mori jetën mbi 50.000 njerëzve, shkruan lajmi.net.
Epiqendra e tërmetit ishte në pjesën e Gaziantep dhe kishte një magnitudë 7.8 ballë të shkallës rihter.

















