Kryetari i grupit parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, ka komentuar vendimin e fundit të Gjykatës Kushtetuese për Ligjin dhe Këshillin Prokurorial, për të cilën tha se “synimi i Qeverisë së Kosovës është që përmes ligjeve t’i kapin institucionet e pavarura”, raporton InLajmi.
Tutje, ai shprehu shqetësimin edhe për vendimin për shtrenjtimin e energjisë elektrike, si dhe për gjendjen e rëndë ekonomike që e ka kapluar vendin.
“Kemi 2 shqetësime të mëdha. E para ka të bëjë me vendimin e fundit të Gjykatës Kushtetuese për Ligjin për Këshillin Prokurorial. E dyta është për gjendjen e rëndë ekonomike, për krizën e madhe që është në institucionet bazë të ekonomisë, në BQK, bordi i Trustit dhe vendimi për shtrenjtimin e rrymës”.
Sipas tij, vendimi i fundit i Gjykatës Kushtetuese vërteton antikushtetueshmërinë e Qeverisë së Kosovës.
“Vendimi i fundit të Gjykatës Kushtetuese për Ligjin për Këshillin Prokurorial vërteton se anti-kushtetueshmëria në këtë qeveri është normë dhe standard qeverisës. Kjo qeveri shtyn ligje të cilat i ka kontestuar Komisioni i Venecias dhe instanca jopolitike e nivelit vendor dhe ndërkombëtar. Synim kanë që përmes ligjeve t’i kapin institucionet e pavarura. Kjo logjikë duhet të thehet. Pushtetet janë të ndara”, ka thënë Tahiri, në konferencën për medie. /InLajmi/