Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, është pritur në takim nga kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, përcjell InLajmi.
Në këtë takim u diskutua për marrëveshjen e Ohrit dhe për ecurinë e mëtejshme të procesit të zbatimit të saj.
Kryeministri Rama e ka inkurajuar kryeministrin Kurti për hedhjen e hapave të mëtejmë për zbatimin e marrëveshjes së arritur në Ohër.
Gjithashtu ai e ka përgëzuar kryeministrin Kurti për arritjen e kësaj marrëveshjeje.
Tutje, Rama i ka theksuar Kurtit se e ka mbështetjen e tij të plotë për procesin e dialogut me Serbinë.
Postimi i plotë i tij:
Me mikun e posaçëm, kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, gjatë drekës së sotme ku diskutuam me detaje për marrëveshjen e Ohrit dhe ecurinë e mëtejshme të procesit të zbatimit të saj.
I shpreha Albinit të gjithë simpatinë time për kurajon dhe realizmin me të cilin ka hedhur hapa me rëndësi të madhe drejt normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë. E inkurajova kryeministrin në hedhjen e hapave të mëtejshëm, qoftë për garantimin e komunave serbe në kornizën e asociacionit që garanton vetëmenaxhimin e komunitetit serb, qoftë për funksionimin me garancitë e nevojshme të Kishës Serbe në vendet e saj të kultit në Kosovë, duke e siguruar se në këtë proces jo të lehtë ai ka mbështetjen time më të plotë.
Ramë dakord që mbledhja e ardhshme e të dy qeverive të mbahet në qershor /InLajmi/