Anëtari i Kryesisë së Partisë Socialdemokrate, Azdren Shala, tha se protesta e së shtunës e thirrur nga PSD e ka për qëllim ndaljen e marrëveshjes Kosovë – Serbi duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit, Albin Kurti.
Po ashtu, Shala tha se protesta nuk do jetë e dhunshme, mirëpo aksionet simbolike brenda saj nuk do mungojnë.
“Kjo protestë e ka një qëllim, më të rëndësishmen, ndaljen e marrëveshjes. Ideja është që ta bëjmë kryeministrin Kurti të reflektojë, që të mos shkojë me hapa tutje. Pastaj, kërkesa e dytë është dorëheqja e kryeministrit Kurti, sepse që nga ardhja në pushtet, gjithmonë ka mashtruar dhe e ka sjellë Kosovën në situatë shumë të vështirë. Ne nuk duam që protesta të jetë e dhunshme, ne duam që brenda protestës të ketë aksione simbolike. Nuk do të ketë veprime atakuese ndaj objektit të Qeverisë. Krejt varet se si do të sillet pushteti nesër”, deklaroi Shala në emisionin “Ditari”.
Shala vlerësoi që Qeveria Kurti për mos ta humbur pushtetin, po pranon ta dërgojë Kosovën në një marrëveshje të tillë.
Ndërkaq, i pyetur se a do të jenë të vazhdueshme protesta të tilla, Shala tha se thirrjet për protesta nuk do t’i ndalin derisa Qeveria Kurti të reflektojë seriozisht në këtë pikë, njëherit edhe faktori ndërkombëtar.
“Protesta e ka kuptimin të bëjë thirrje. Pas kësaj, ne do shohim cila është përgjigja e Kurtit, cilat janë hapat e Qeverisë”, shtoi tutje Shala, shkruan Tëvë1
“Qëllimi ynë është ta ndalim marrëveshjen, nuk e kemi qëllimin me policinë, as me persona zyrtarë, por nëse ata provokojnë, atëherë nuk e dimë cili do të jetë veprimi i protestuesve”, theksoi ai më tej