Kryetari i Partisë Socialdemokrate Dardan Molliqaj, ka thënë se një javë pas marrëveshjes së Ohrit, ajo që mund të konstatohet është se ka një marrëveshje që, sipas tij, është pa mbështetje politike, pa legjitimitet e me shumë kundërshtime popullore.
Këto deklarata Molliqaj i bëri në një konferencë për media një ditë para protestës e cila pritet të mbahet të shtunën në orën 14:00, në Prishtinë.
Sipas tij, Qeveria është ndjerë në faj gjatë gjithë kohës për një degradim të tillë.
“Tani që jemi thuaja që një javë nga dakordimi i Ohrit, ajo që mund të konstatohet me bindje të plotë është se kemi një marrëveshje, e cila është pa mbështetje politike nuk ka legjitimitet. Për më shumë ka kundërshtim popullor. Siç e keni parë edhe qeveria me zor e ka mbrojt këtë marrëveshje sepse është ndjerë në faj gjatë gjithë kohës për një degradim të tillë çfarë i ka ndodhur Kosovës në procesin dialogues”, ka thënë Molliqaj.
Gjithashtu ai theksoi se Kosova pas kësaj marrëveshje nuk ka marr siguri se do ta njohin 5 vendet anëtare të BE-së, ose ndonjë garanci për anëtarësim në NATO.
Mirëpo, ai u tutje u shpreh se mbi 75 % e qytetarëve janë kundër kësaj marrëveshje.
“Ajo që mund të shihet është që opinionistët, qytetarët, partitë politike, opinionistët janë kundër kësaj marrëveshjeje. Siç e keni parë në muajin mars, nga matjet e opinionit publik, mbi 75% e qytetarëve janë kundër këtyre marrëveshjeve, e në veçanti Asociacionit. E patë që çdo ditë që po kalon rrenat e pushtetit po shkojnë duke u zvoglu”, tha ai.
Ai i bëri thirrje qeverisë që të ri-legjitimohet, duke kërkuar kështu zgjedhje të reja, si shkak i zhvillimeve të ndodhura.
“Kosova me këtë marrëveshje do të ketë Asociacion. Rreziku i saj është që do të ketë autonomi për veriun e Kosovës. Prandaj besojmë që është jashtëzakonisht jetike dhe e rëndësishme për demokracinë e Kosovës, që kjo qeveri të ndalet në këtë drejtim, të detyrohet nga presioni qytetar dhe edhe një herë të ri-legjitimohen forcat politike karshi zhvillimeve që kanë ndodhur”, u shpreh Molliqaj.