Kryetari i PSD-së në Kosovë, Dardan Molliqaj, kritikoi marrëveshjen e dakordësuar për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.
Molliqaj theksoi se marrëveshja do të duhej të ratifikohej së pari në Kuvend.
Sipas tij, Kurti po tallet me opozitën ndërsa e cilësoi marrëveshjen jodemokratike për faktin se nuk është konsultuar së pari me Kuvendin për ta miratuar ose jo.
“Është dialogu më jodemokratik, jotransparent dhe që nuk e ka llogaritur fare Kuvendin. Ka qenë një traditë që para fillimit të secilit raund është miratuar me një rezolutë ku Kuvendi ka shprehur vullnetin dhe ka mbështetur qeverinë për të negociuar. Ka pasur raportim pas secilit raund në Kuvend. Kryeministri i Kosovës nuk ka shkuar kurrë në asnjë komision parlamentar dhe për herë të parë Kosova merr obligime që janë më shumë se marrëveshjet ndërkombëtare për shkak se me marrëveshjet e fundit të Kurtit janë obligime të Kosovës karshi BE dhe nuk ka votuar Kuvendi. Dakordimi gojor i kryeministrit ka vlejtur më shumë sesa votimi në Kuvend. Besoj se është në shenjë e qartë e mungesës së respektimit të rregullave demokratike të Kushtetutës të Kosovës.”, tha ai.
Ai për Abc.News.al. thotë se me miratimin e kësaj marrëveshje krijohet një ‘asociacion plus’ i komunave me shumicë serbe. Sipas tij, në këtë mënyrë krijohet një qeveri paralele në Kosovë.
“Për leximin tonë kemi të bëjmë me asociacion plus, pranim të asociacionit ekzistues dhe shtime të reja që tanimë kryeministri i Kosovës i ka hapur derën me këto 2 marrëveshje. Ajo që duket e qartë është se asociacioni do të vlejë për komunave serbe, janë 10 gjithsej. 4 prej tyre janë në veri, 6 të tjerat në pjesë të tjera. Serbia do që të ketë një lidhje institucionale si ombrellë për këto komuna, që kanë kompetenca të përbashkëta, një kuvend dhe president. Dhe ajo që duhet shtesë është kompetenca shtesë për veriun e Kosovës ku ndodhen edhe 4 komunat, pra asociacionin për të gjitha komunat në Kosovë ndërsa rritje të kompetencave për veriun”.