Kombëtarja e Kosovës në futboll do të zhvillojë 2 ndeshje në muajin mars në kuadër të kualifikimeve për Kampionatin Evropian 2024.
Ndeshjen e parë hapëse të kualifikimeve, Kosova ballafaqohet me Izraelin si mysafir me 25 mars, teksa 3 ditë më pas e mirëpret Andorrën në “Fadil Vokrri”.
Trajneri i Andorrës, Koldo Alvarez de Eulate ka theksuar se do të udhëtojnë në Prishtinë, ku do të tentojnë të fitojnë ballafaqimin ndaj “Dardanëve”, gjithnjë nëse i bëjnë gjërat siç duhet.
“Ne mund të premtojmë se do të garojmë deri në fund, nëse jemi në gjendje t’i bëjmë gjërat mirë, atëherë do të kemi mundësi për të fituar ndeshjen”, tha fillimisht Koldo Alvarez.
Më pas Alvarez u ndal për të folur në lidhje me lojtarët e kombëtares së Kosovës, ku veçoi disa prej tyre si shumë cilësor.
Ai thotë se sulmuesi Vedat Muriqi dhe mbrojtësi, Amir Rrahmani janë futbollistët më të mirë të Kosovës, për ‘GazetaBlic Sport’.
“Sigurisht, të gjithë ata që kuptojnë nga futbolli i njohin lojtarët më të mirë që janë Muriqi dhe Rrahmani, por mendoj se Kosova ka lojtarë të tjerë të talentuar si Rashani, Rashica, Berisha, 2 qendërmbrojtësit, që i japin ekipit siguri në mbrojtje. Do të jetë për ne një gabim i madh nëse fokusohemi vetëm në një ose 2 lojtarë. Kosova është një ekip shumë konkurrues, me cilësi të madhe dhe që di t’i shfrytëzojë shumë mirë virtytet e saj”, përfundoi Koldo Alvarez.