Sala Ahmetaj, një vajzë e re nga një fshat i largët i Skenderajit që ëndërronte të bëhej sikur personazhi i famshëm “Afërdita përsëri në fshat” nga Sterio Spasse, arriti të shkojë përtej kësaj ëndrre duke hyrë kështu në portat e Universitetit të Prishtinës si mësmidhënëse akademike.
Sfidat, paragjykimet e asaj kohe si vajzë që ndjek shkollimin nuk e ndalën atë të jetësonte ëndrrën e saj e dëshirën e babait që i kishte qëndruar në krah gjatë rrugës jo pak të lehtë, arsimimin e edukimin në rrethana të vështira në një rreth konservator.
Me nostalgji kujton fillimet e shkollimit, por ndalet më shumë tek pjesa më e bardhë e jetës, aty ku shpërndau dashuri, njohuri e edukim për vite me radhë ndër shumë breza.
Si vajza e parë e shkolluar në Drenicë, si mësuesja e parë, për emocionet e saj si mësimdhënëse universitare, flet profesoresha Sala Ahmetaj në Ditën e Mësuesit në një intervistë ekskluzive për Gazetën InLajmi.
InLajmi: Si lindi dëshira juaj për profesionin e mësimdhënies, kush ka qenë personi që ju ka mbështetur më së shumti?
Sala Ahmetaj: Unë jam rritur në një fshat malor, në Radishevë. Në fshatin tim nuk ka pasur shkollë dhe ne duhej të shkonim në Runik që ishte larg nga Radisheva. Rruga ishte e vështirë dhe tereni malor. Babai im ka qenë autodidakt dhe një dashamir i madh i arsimit. Që nga dita e parë kur jam nisur për në shkollë më ka thënë: “Mëso mirë se nuk kam me të ndalë nga shkolla”. Pra që nga fillimi më ka përkrahur. Unë që nga fillimi kisha dëshirë të bëhesha mësuese dhe të punoja në arsim. Doja të bëhesha një “Afërditë” për rajonin nga vija. Pasi e mbarova Shkollën Normale në Mitrovicë u ktheva mësuese në Runik (viti 1969) dhe ky ka qenë momenti më i lumtur i jetës sime.
InLajmi: Cilat kanë qenë sfidat që ju kanë shoqëruar gjatë shkollimit tuaj?
Sala Ahmetaj: Sfidat gjatë shkollimit për mua kanë qenë të mëdha. Në shkollë fillore duhej të udhëtoja në një rrugë malore dhe të vështirë deri në Runik. Por kam qenë një ëndërrimtare dhe pengesat nuk ma ndalnin qëllimin dhe dëshirën e madhe për shkollim. Atëherë as energji elektrike nuk kishim dhe mësoja me dritën e një llampe të vajgurit. Kur e mbarova shkollën fillore u regjistrova në Shkollën Normale në Mitrovicë që ishte shumë larg nga Radisheva. Por ajo ka qenë dita më e lumtur e jetës sime. Kur e mbarova Normalen (në vitin 1969) u ktheva mësuese në Runik dhe i vazhdova studimet me korrespondencë. Edhe punoja edhe studioja, sepse nuk i kisha rrethanat aq të volitshme që të studioja e rregullt. Studimet i përfundova me sukses të shkëlqyeshëm.
Por sfidë e madhe për mua ka qenë edhe paragjykimi që ka ekzistuar atëherë, por mua nuk më ka zmbrapsur kurrë. Përkundrazi kam punuar me përkushtim të paparë edhe me qëllim që t’u tregoja se shkollimi gruan e bën më të mirë dhe të zonjën, nuk e prish. Unë kam qenë mësuesja e parë e fshatit tim. Kam qenë profesoresha e parë në fshat dhe profesoresha e parë në Drenicë. Jam e lumtur që kam ndikuar në arsimimin e vajzave.
InLajmi: Në cilin vit keni filluar punën në Universitetin e Prishtinës, a keni pasur paragjykime meqenëse keni qenë një nga asistentet e para në degën e Gjuhës Shqipe?
Sala Ahmetaj: Në Universitetin e Prishtinës kam filluar të punoj në vitin 1977. Dhe në fakultetin tim kam qenë e para grua shqiptare kur kam filluar punën si asistente. Nuk përshkruhet me fjalë lumturia që kam ndjerë kur kam filluar të punoja në fakultet.
Profesorët më kanë përkrahur shumë. Edhe me studentë kam pasur marrëdhënie të shkëlqyera. Madje punën dhe komunikimin e bëja me dashuri. Ato ishin pothuaj si moshatare me mua. Por ajo që më ka ndihmuar më së shumti ka qenë puna me përkushtim e me ndërgjegjshmëri.
InLajmi: Çfarë nuk mund të harroni nga përvoja juaj shumëvjeçare në Universitetin e Prishtinës, cila ka qenë pjesa më e bukur e mësimdhënies?
Sala Ahmetaj: Kam shumë kujtime të bukura me studentë gjatë përvojes sime. Por ajo që gjithnjë më ka lumturuar është kur ata korrnin suksese. Por pjesa më e bukur për mua ka qenë kur shihja aq shumë vajza në ligjërata. Madje ato shpesh mësonin më shumë se djemtë. Lumturi më të madhe nuk ka se kur ke shumë studentë që marrin nota të shkëlqyeshme dhe kur të falënderojnë për vlerësimin korrekt e kur bën punën me përgjegjësi. Unë kam qenë e afërt me ta dhe i kam trajtuar si miq ose shokë. Studenti nuk duhet të frikësohet nga profesori por duhet të ketë marrëdhënie korrekte.
InLajmi: Cila ka qenë pjesa më e vështirë në mësimdhënie?
Sala Ahmetaj: Pjesa më e vështirë për mua ka qenë vlerësimi. Është shumë e vështirë që gjithnjë të bësh vlerësim plotësisht të saktë dhe të drejtë sepse ndikojnë shumë faktorë. Varet nga natyra e pyetjes, nga mënyra e përgjigjes. Dikush e di pyetjen por ndoshta përgjigjen nuk e jep me qartësi ose saktësi të plotë. Unë shpesh kam pasur frikë se mos dikujt i kam mbetur borxh dhe nuk e kam vlerësuar kënaqshëm. Për mua vlerësimi është puna më e vështirë sepse ndonjëherë edhe mund të demotivohet studenti.
InLajmi: Sa dallon përgjithësisht cilësia e arsimit në kohën tuaj krahasuar me vitet e fundit?
Sala Ahmetaj: Unë mendoj dhe ky është një vlerësim i përgjithshëm se cilësia në mësim përpara ka qenë më e lartë për shumë arsye. Ndër arsyet mund të jetë edhe ai idealizimi që ia kemi bërë shkollës dhe arsimit, pastaj mundësia e punësimit. Sot ndikim të madh që të mos ketë një interesim të madh për mësim është edhe zhvillimi i teknologjisë që sa është i dobishëm po aq është edhe një arsye për të humbur kohë për gjëra triviale. Natyrisht tash duhet të gjenden mënyra dhe metoda tjera nga mësimi klasik në mënyrë që ai të jetë më atraktiv dhe më interesant për të rinjtë. Faktor është edhe tregu i punës.
InLajmi: Tash që jeni pensionuar, çfarë ju mungon më së shumti nga profesioni i mësimdhënies?
Sala Ahmetaj: Tash që jam në pension më së shumti më mungon kontakti me studentë dhe puna me ta. Nuk ka lumturi më të madhe se kur i takoj ish-studentët e mi dhe kur ndalen të më përshëndesin e të më përkujtojnë momente të bukura ose edhe të vështira që kanë pasur gjatë studimeve. Puna në arsim është e shenjtë dhe më e vlefshmja, sepse aty e formësojmë të riun si njeri dhe si ekspert. Shqipe Vishaj /InLajmi/