Progresi global për të drejtat e grave po “zhduket para syve tanë”, paralajmëroi sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, duke thënë se do të duhen edhe 3 shekuj për t’u arritur barazia gjinore.
“Të drejtat e grave po abuzohen, kërcënohen dhe shkelen në mbarë botën,” shtoi ai, teksa përmendi një sërë problemesh: vdekshmëria e nënave, vajzat e dëbuara nga shkolla, grave që u mohohet puna dhe vajzat që detyrohen të martohen në moshë të hershme.
Guterres theksoi kushtet veçanërisht të vështira në Afganistan, ku sundojnë talebanët, ku “gratë dhe vajzat janë fshirë nga jeta publike”. Ai nuk përmendi vende të tjera specifike, por vuri në dukje se “në shumë vende, të drejtat seksuale dhe riprodhuese të grave po zhbëhen dhe në disa vende vajzat që shkojnë në shkollë rrezikojnë të rrëmbehen dhe të sulmohen”.
“Shekujt e patriarkalizmit, diskriminimit dhe stereotipeve të dëmshme kanë krijuar një hendek të madh gjinor në shkencë dhe teknologji,” tha Guterres, duke përmendur si shembull sesi gratë përfaqësojnë vetëm 3% të fituesve të çmimit Nobel në këto fusha, transmeton Anabel Magazine.
Ai bëri thirrje për “veprim kolektiv” në mbarë botën nga qeveritë, shoqëria civile dhe sektori privat.