Për punën si kardiolog invaziv, sfidat dhe sukseset këtë javë flet Dr.Daut Gorani në një intervistë ekskluzive për Gazetën InLajmi.
Dr. Gorani rrëfeu edhe për momentet më të vështira dhe sfiduese gjatë punës së tij, ndërsa flet edhe për emocionet kur u shpall mjek i vitit.
InLajmi: Sa është e vështirë me qenë kardiolog invaziv në Kosovë?
Daut Gorani: Puna më e vështirë në kardiologji është kardiologjia invazive, sepse është punë me rezatim, me shumë stres dhe kërkon njohuri të lartë profesionale në fushën e kardiologjisë. Sfida më e madhe është shoku kardiogjen në kuadër të infarktit akut të miokardit.
InLajmi: Jeni me përvojë shumëvjeçare në fushën e kardiologjisë, cili ka qenë momenti më “prekës” gjatë punës tuaj?
Daut Gorani: Gjatë punës 17 vjeçare në Kardiologji Invazive jam ballafaquar me momente prekëse, dhe pikëlluese, kur përkundër përpjekjeve maksimale nuk kemi arritur të shpëtojmë jetën e njeriut. Por shumë më tepër kam pasur momente të gëzimit kur me angazhimin e madh kam arritur që së bashku me stafin të shpëtojmë me qindra jetë të pacientëve me sëmundje të arterieve koronare.
InLajmi: Jeni shpallur mjeku i vitit në Kardiologji, si është ndjenja kur dikush vlerëson profesionalizmin, përkushtimin tuaj?
Daut Gorani: Sukseset e mija ja dedikoj familjes time e cila më ka përkrahur dhe mirëkuptuar, sepse për të dhënë një kontribut të këtillë është dashur të mungoj shumë nga familja ime. Me vite të tëra kam pasur numrin më të madh të intervenimeve, pastaj kam qenë ndër pionierët e Kardiologjisë Invazive në Kosovë, por tani kjo mirënjohje ka dëshmuar që shoqëria jonë e vlerëson punën dhe kontributin tim në këtë lëmi.
InLajmi: A ju pengon puna prej kardiologu të shijoni jetën familjare mjaftueshëm apo edhe arrini të֝ koordinoni kohën në mënyrë që ti kushtoni kohë edhe jetës familjare?
Daut Gorani: Natyrisht që për një punë të tillë me shumë përkushtim më është dashur të abstenoj nga shumë qaste, ceremoni dhe evenimente familjare, por jeta e pacientëve ka qenë gjithmonë prioritet dhe familja ime e ka kuptuar dhe vlerësuar këtë, gjë që më ka lehtësuar moralisht edhe mua. Megjithatë, pjesërisht kam arritur ti kushtoj kujdes edhe familjes. Libona Gegaj /InLajmi/