Emisari i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka thënë se normalizimi i marrëdhënieve Kosovë – Serbi, është kyç për stabilitetin rajonal dhe evropian.
I pyetur rreth nënshkrimit eventual të planit gjermano-francez për zgjidhjen e mosmarrëveshjes ndërmjet Serbisë dhe Kosovës në stabilitetin rajonal, Escobar u përgjigj se normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, përmes dialogut të ndërmjetësuar nga BE, mbetet kyç për rajonin dhe atë evropian.
“Sepse pushtimi brutal dhe i pajustifikuar i Putinit në Ukrainë dhe ndikime të tjera malinje synojnë të mbjellin ndarje”, tha Escobar.
Ai në një intervistë për argjencinë e lajmeve të Malit të Zi, konkludoi se normalizimi do të hapë dyert për integrimin politik dhe ekonomik të Serbisë dhe Kosovës në Evropë dhe do të kontribuojë në një stabilitet dhe prosperitet më të madh në të gjithë Ballkanin Perëndimor.
Ndryshe nesër do të jetë dita kur liderët e 2 shteteve, ai i Republikës së Kosovës dhe ai i Serbisë, do të takohen në Bruksel. Kryeministri Albin Kurti dhe presidenti serb Vuçiq, për herë të parë do të diskutojnë për propozimin franko-gjerman, përmes të cilit synohet arritja e marrëveshjes përfundimtare mes 2 vendeve, transmeton RTK.
Por, sipas të dërguarit të Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak, ky propozim nuk do të negociohet.