Partia Alternativa në Maqedoninë e Veriut po kërkon asociacion të komunave shqiptare, ashtu siç kërkojnë serbët në Kosovë.
“Në kohën kur Kosova gjendet para marrëveshjes finale për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, dhe kur secili diplomat perëndimor që shkon në Prishtinë e përsërit refrenin ‘të bëhet Asociacioni i komunave me shumicë serbe në Kosovë’, pyetja që duhet të shtrohet është se pse partitë shqiptare në Maqedoninë e Veriut, ato që kanë komuna (Bashkimi Demokratik për Integrim, Aleanca për Shqiptarët dhe BESA), nuk e ngrenë një iniciativë për themelimin e Asociacionit të komunave shqiptare në Maqedoninë e Veriut po me ato kompetenca që bashkësia ndërkombëtare kërkon t’i ketë Asociacioni i komunave me shumicë serbe në Kosovë”, ka deklaruar Zeqirja Ibrahimi nga partia “Alternativa”.
Kjo parti ishte pjesë e Qeverisë me 3 ministri, por kaloi në opozitë për shkak të mosmarrëveshjeve lidhur me ndarjen e posteve, pas vendimit që pushtetit t’i bashkohet edhe partia, Aleanca për Shqiptarët.
Kërkesa e saj për Asociacionin e komunave shqiptare, është refuzuar nga partitë tjera, përveç Lëvizjes Besa, e cila ka thënë se do ta shqyrtojë një propozim të tillë.
Bashkimi Demokratik për Integrim, që drejtohet nga Ali Ahmeti, tha se një propozim i tillë është “anti-perëndimor” dhe i dëmshëm për proceset nëpër të cilat po kalon Kosova, përcjelL REL.
“Një propozim i tillë është patetik, antiamerikan dhe antievropian, është i dëmshëm për zgjidhjen përfundimtare të çështjes së Kosovës. Përpjekje e pasuksesshme për të mbijetuar në skenën politike pas fiaskos dhe rreshtimit krejtësisht të gabuar dhe destruktiv”, thuhet në reagimin e BDI-së.