Si ka lindur dëshira e tij për aktrimin, kush e ka frymëzuar dhe përkrahur më së shumti në këtë profesion, cilat kanë qenë sfidat, momentet më të bukura, vështirësitë e sukseset, flet eksluzivisht për InLajmin aktori i mirënjohur Armond Morina.
Aktori Morina na tregon për eksperiencën e tij te seriali “Familja Moderne”, i cili ka mbetur gjatë në kujtesën e të gjithë shqiptarëve, e përveç tij Morina flet edhe për filmin e fundit “Adnan Kafazi”, i cili nuk ka shumë kohë që është lansuar, por që ka sjellë një “frymë të re” në kinematografinë shqiptare.
InLajmi: Si lindi dëshira juaj për aktrimin, kush ju ka shtyrë ose përkrahur më së shumti në fillimet e juaja?
Armond Morina: Në fakt, ne në atë kohë nuk kemi pasur ndonjë lloj strategjie domethënë nga shkolla e mesme që të përcaktohemi se çka do të studiojmë, mirëpo unë gjithmonë duke bërë imitime dhe çapkënllëqe në shkollë normalisht që më erdhi si imponim prej arsimtarëve, të cilët më thonin se pse nuk po e ndjek aktrimin dhe pastaj duke u interesuar, në fillim shikova për Tiranë sepse nuk kisha njohuri që ka edhe këtu, e pas kësaj axha im Mazllumi që punonte për trupën profesionale të Teatrit të Gjakovës më vuri në kontakt me Ardit Shehun, i cili më ushtroi monologun e Hamletit “Të rrosh apo të mos rrosh”, bile nga prezenca e tij e mbaj mend që kisha shumë frikë prej ushtrimeve, mirëpo e kujtoj si sot që më pati thënë “meqënëse po shkon në një rrugëtim që nuk është i lehtë, të uroj shumë fat e suksese, e për këtë duhet të punosh shumë që të mund të bëhesh aktor profesionist”.
InLajmi: Si ka qenë ekperienca juaj në shfaqjen e parë që keni luajtur, si e kujtoni veten në atë kohë, a keni pasur emocione?
Armond Morina: Shfaqja ime e parë ka qenë si student në Teatrin Dodona në vitin 1992 me klasën e profesor Begollit. Ishte semestri i tretë, ku profesori gjithmonë e kishte si strategji që ushtrimet shkollore në fund t’i nxirrnim para publikut. Në atë kohë tri gjenerata më herët kishin punuar në Teatrin Dodona dhe veçse e kishin ndërtuar një audiencë aq të bukur, në kohën kur nuk kishte as televizion dhe radiot shqip ishin të mbyllura nga okupatori, e kështu Dodona u bë i vetmi zë shqip në kohën e paraluftës sepse çdo institucion në atë periudhë nuk frymonte shqip. Në teatrin e ri kemi arritur të luajmë tërë javën përveç ditës së hënë, e cila ishte pushim. Përgjithësisht, ka qenë një kohë e errët për vendin tonë, por që për Dodonën dhe aktorët ishte një periudhë e artë, pasi ne kishim shumë punë dhe sallat ishin të stërmbushura.
InLajmi: Kur jemi te seriali komedi “Familja Moderne”, cili ka qenë momenti më qesharak që edhe sot e kujtoni me nostalgji?
Armond Morina: “Familja Moderne” ishte seriali i parë pas luftës, i cili ka lënë një histori në televizionin shqiptar të Kosovës, pasi deri në atë kohë nuk ka pasur seriale aq afatgjate. “Familja Moderne” e filloi një rrugëtim dhe popullaritet të paparë me një eksperiencë fantastike për aktorët dhe historinë e televizionit. Ne punonim nga e hëna deri të mërkuren, të enjten dhe te premten xhiroheshin skenat që ishin jashtë studios, të shtunën montazha dhe të dielen shfaqej në televizion. Kurrë se harroj në sezonat e dyta dhe të treta se sa e lidhur ishte audienca me serialin, e sa e donin atë dhe batutat e tij. Seriali kishte një energji e ansambël që ishte fantastik me të gjitha gjeneratat, ka pasur aq momente qesharake, aq momente të bukura, aq relacione saqë edhe sot e kësaj dite ne here pas here mblidhemi e takohemi. Për mua është një familje e dytë sepse kemi jetuar pothuajse 9 vite së bashku, i kemi ndarë edhe problemet e emocionet e vërteta të familjeve tona me familjen e dytë që ishte “Familja Moderne”.
InLajmi: A ju ka mbetur peng diçka nga “Familja Moderne”, a mendoni se mund të kishte jetë më të gjatë?
Armond Morina: Seriali u rrit në përmasa gjigante, ne e arritëm vitin e 9-të të serialit, e një falënderim i veçantë për këtë shkon për Agim Zatriqin, i cili e kishte një vizion të krijonte yje vendore të televizionit, por përveç tij ishin edhe regjisori Berisha e shumë shkrimtarë që merrnin pjesë në realizimin e serialit. Ajo që ma ka mbetur peng është që seriali përfundoi në sezonin e 9-të, e dëshira jonë ishte që ta bënim edhe një sezon në mënyrë që ta mbërrinim atë ciklin e historisë 10-vjeçare si serialet e njohura botërore, por atëherë ndodhen ndryshime kadrovike, pasi Agimi nuk ishte më në televizion dhe më pas nuk u pa si ide pavarësisht insistimit tim që ta mbajmë edhe për nja 20-30 episoda që ta arrijmë atë historinë në televizionin shqiptar, por që nuk ndodhi, e për këtë arsye më ka mbetur si peng i vogël.
InLajmi: Në mes teatrit dhe filmit, kë do të zgjidhnit dhe pse?
Armond Morina: Kuptohet që teatri është një emocion i veçantë sidomos për aktorët profesionistë, aty është finesa e profesionit ku shihet aktori. Normalisht, që edhe filmi ka specifikat e veta, por për aktorin më disfaksion është teatri sidomos për profesionin sepse mjeshtëria e aktrimit dallon nga teatri në film sepse në teatër është një emocion më ndryshe, më i gjallë, pasi ju jeni për 2 orë përballë audiencës dhe e ndjen se si frymon, por që edhe filmi e ka atë magjinë e vet, aty përveç mjeshtrisë së aktrimit ka të bëjë edhe me ekipin e tërë që rri prapa kamerave duke përfshirë edhe regjisorin. Unë më shumë e gjej veten tek teatri edhe pse në një kohë jam tërhequr për shkak të kushteve jo të dinjitetshme të këtij profesioni në shtetin tonë, por shpresoj se teatri i ri do të bëhet sipas premtimeve që janë bërë, sepse siç e thashë, mua më shumë më fle shpirti te teatri.
InLajmi: Kohëve të fundit keni marrë pjesë në filmin “Adnan Kafazi”, sa po ndaheni i kënaqur me sukesin e këtij filmi?
Armond Morina: Jam shumë i kënaqur me suksesin e filmit “Adnan Kafazi”, për të cilin është bërë një punë shumë e mirë nga aktori Besart Sllamniku dhe regjisori njëherësh edhe producenti Genc Berisha, pasi ky zhanër nuk ka qenë i eksploruar te ne, kryesisht aksioni, komedia, filmat me tema të krimit, andaj kjo industri sa është artistike aq është edhe argëtuese, gjithashtu është një zhanër që më herët nuk kam pasur mundësi ta luaj, por që kam kaluar shumë mirë gjatë xhirimeve. Audienca po e do, pasi vetëm gjatë javës së parë ka kaluar mbi 11 mijë shikues, e kjo flet për nevojën e këtij lloji të zhanrit në vendin tonë. Në këtë film ka mesazhe shumë të bukura për fuqizimin e gruas, ka tema që përkojnë me realitetin tonë edhe pse filmi është komplet një temë imagjinare. Unë jam ndarë i kënaqur kur në Gjakovë e Prishtinë i pashë sallat e stërmbushura, e mund të them se “aktorit iu mbushet zemra plot kur sheh reagimet e publikut”.
InLajmi: Kush është aktori ose aktorja që ju ka frymëzuar vazhdimisht?
Armond Sllamniku: Mos të harrojmë që gjenerata paraardhëse e jona ka pasur një periudhë shumë të artë të prodhimit edhe pse kanë përfomuar në rrethana krejt tjera në kohën e komunizmit, gjë që për aktorët ka qenë e vështirë të punojnë me kontroll gjithmonë, pasi siç dihet arti në komunizëm ka qenë i kontrolluar nga strukturat shtetërore. Gjenerata e Muhamet Qenës, e Lezes, e Xhevatit, Abdurrahman Shalës, Meribane Shalës, Bekim Fehmiut, profesorit Begolli e shumë të tjerë e kanë promovuar profesionin fisnik të aktrimit dhe i kanë inspiruar shumë gjenerata, që sot të kemi këtë realitet të ri, ku në çdo qytet ka teatër dhe ansambël profesionistë, edhe pse jo mirë të konsoliduar, por besoj që shumë shpejt do të jetë një realitet krejt ndryshe për aktorët që vijnë pas nesh.
InLajmi: Për fund, na thoni një këshillë që keni marrë nga një aktor, mik apo familjar dhe ju ka ndihmuar shumë?
Armond Morina: Faktikisht kam marrë jo vetëm një këshillë, por shumë këshilla, pasi aktrimi është një profesion që nuk mbaron kurrë, por po e veçoj një prej tyre, e ajo është këshilla e profesorit Begollit, me të cilin kam punuar për 10 vite si asistent në Akademinë e Arteve në degën e aktrimit. Ajo që më ka pëlqyer te profesori Begolli është se e ka plasuar idenë se “aktori duhet të jetë i pakompromis në profesionin e tij”, domethënë të mos bëjë kompromise sa i përket lirisë së shprehjes dhe të qenurit mendjehapur dhe demokratik dhe të mos lejojë interferencat politike ose artin me porosi. Begolli e ka kryer misionin e tij si një pedagog, ai është themeluesi i degës së aktrimit dhe pikërisht për shkak të tij sot e kemi një realitet krejt tjetër sa i përket teatrit me politikën sepse të mos harrojmë se vendet që kanë dalë nga komunizmi kanë gjithmonë interferenca që politika dëshiron të bëjë art me porosi. Begolli do të mbahet mend si një trasues i lirisë së fjalës në teatrin shqiptar. Shqipe Vishaj /InLajmi/