Në prag të takimit të 27 shkurtit në Bruksel me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ka dhënë sinjale se mund të ketë një marrëveshje.
Vuçiqi ka thënë se duhet të ruhet paqja dhe stabiliteti.
“Ne duhet të ruajmë paqen, stabilitetin dhe të bëjmë hapa të mëdhenj përpara”, ka thënë presidenti serb.
I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak, ka thënë se presin që Kurti e Vuçiq zyrtarisht dhe publikisht të deklarojnë se e pranojnë planin evropian për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve.
Ai po ashtu ka thënë se presin konstruktivitet nga të 2 liderët dhe i ka “inkurajuar ata që të vijnë më propozime konstruktive dhe të arsyeshme lidhur me planin e zbatimit”.
Edhe Departamenti i Shtetit Amerikan në prag të këtij takimi ka thënë se pret që “të 2 liderët t’i qasen takimit në frymën konstruktive të nevojshme për të ecur përpara në përputhje me të”.
Sipas DASH-it, Serbia dhe Kosova “duhet të arrijnë një marrëveshje gjithëpërfshirëse përmes dialogut”, transmeton RTK.
DASH beson se marrëdhëniet e normalizuara ndërmjet Kosovës dhe Serbisë “në fund të fundit duhet të synojnë njohjen reciproke”.