Liqenet e Funarit në Elbasan janë një prej perlave natyrore, kthyer në destinacion të preferuar për vizitorët vendas e të huaj në çdo stinë të vitit.
Mes Elbasanit dhe Tiranës, mes kodrave me pyje dhe 4 liqeneve ndodhet zona e Funarit, e konsideruar si një perlë e pashfrytëzuar e turizmit.
Ky vend ndodhet vetëm 20 kilometra nga Elbasani ose 25 km nga Tirana dhe tashmë po kthehet në një destinacion turizmi duke shfrytëzuar bukuritë naturore dhe afërsinë me 2 prej qyteteve më të mëdha të vendit.
Pikërisht në zonën e Funarit, vitin 2022 nisi puna për pistën e parashutizmit dhe ndërtimin e pikës së informimit të vizitorëve.
Kryetari i bashkisë se Elbasanit e ka vlerësuar projektin “Funari Adventure Park” si një nga projektet më të mira për zhvillimin e turizmit.
Funari është një zonë e pasur me pyje dhe me 4 liqene apo rezervuarë të ndarë 2 brenda fshatit dhe 2 të tjerë të fshehur pas maleve që e rrethojnë atë.
Deri pak kohë më parë, Funari ishte thuajse i harruar për nga vetë infrastruktura e amortizuar, pasi duheshin 3 orë për rrugën që sot mund ta përshkosh për një orë, shkruan Kult Plus.
E pasur me pyje pishash dhe dushku, Funari ofron një klimë të shëndetshme që, nëse i shtojmë dhe gatimet tradicionale të zonës, bëhet vendi ideal për të kaluar fundjavën.