Vala e të nxehtit, nivelet e ulëta rekord të shiut dhe mungesa e borës kanë ndikuar në tharjen e lumenjeve dhe liqeneve në Evropë derisa ekspertët paralajmërojnë se mund të ketë thatësira të mëdha, transmeton InLajmi.
Imazhet e shtretërve të lumenjve të tharë dhe liqeneve në “tkurrje” zakonisht shoqërohen me nxehtësinë përvëluese të verës, por jo edhe të dimrit. Por një fillim jashtëzakonisht i ngrohtë dhe i thatë këtë vit po prek një pjesë të Evropës, duke përfshirë Francën qendrore dhe jugperëndimore, Spanjën veriore dhe Italinë veriore.
Situata e ujit në Evropë është bërë “shumë e pasigurt”, sipas një studimi të botuar në janar nga studiuesit në Universitetin e Teknologjisë së Grazit në Austri, i cili përdori të dhëna satelitore për të analizuar burimet ujore nëntokësore të botës.
“Disa vite më parë, nuk do ta kisha imagjinuar kurrë që uji do të ishte problem këtu në Evropë”, tha Torsten Mayer-Gürr, një nga studiuesit.
Qendra e Përbashkët Kërkimore e Komisionit Europian (KE-JRC) ka paralajmëruar se thatësira aktuale mund të jetë më e keqja në 500 vitet e fundit.
Një periudhë e thatë që thyen rekord në Francë, shkruan CNN.
Franca po përjeton thatësinë më të madhe në 60 vjet. /InLajmi/