Deputetja e AAK-së, Albana Bytyqi, ka thënë se duke marrë për bazë ankesat e shumta që janë dërguar në institucionin e Avokatit të Popullit, Ligji i Pagave do të përfundojë në Kushtetuese.
“Ne sa i përket këtyre 2 ligjeve, atij për zyrtarët publik, e sidomos atij të Ligjit për Pagat, kemi qenë shumë të zëshëm në çdo moment, kemi kërkuar që koeficienti të jetë 129 euro për shkak të krizës financiare që na ka kapluar dhe jetës e qytetarëve është rënduar tej mase. Sigurisht se as kjo nuk është përfillu nga Qeveria dhe në fund e kanë vendosur një koeficient skandaloz atë në vlerë prej 105. Kemi informata që shumë ankesa nga shumë sindikata e mekanizma të tjerë shtetërorë janë shprehur të pakënaqur me këtë ligj, kanë shkuar te avokati i Popullit dhe sigurisht që ky Ligj do të shkojë në Kushtetuese”, ka thënë ajo.
Kurse, sa i përket kritikave të zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë që Qeveria nuk ka marrë parasysh komentet e tyre për këto 2 ligje, Bytyqi ka thënë se tashmë nuk është çudi që kjo Qeveri vepron gjithmonë me kryeneçësi.
“Po e kam parë reagimin e BE-së për 2 ligjet, atë për zyrtarët publikë dhe atë për Ligjin për Pagat. Ka qenë i pritshëm reagimi i tyre për këto ligje të cilat kanë shumë mangësi dhe lënë shumë për të dëshiruar. Por nuk është me çudi që Qeveria vepron si gjithmonë më kryeneçësi dhe pa I interesuar asnjë mendim I askujt, siç kanë vepruar tash edhe me komentet e BE-së që nuk janë marrë fare parasysh”, është shprehur Bytyqi për Front Online.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e ka dekretuar më 4 janar të këtij viti shpalljen e Ligjit për Pagat në Sektorin Publik.
Kurse, më një shkurt Qeveria e Kosovës në mbledhjen e saj ka bërë publik vlerën e koeficientit për vitin 2023 e që do të jetë 105 euro.
Ligji për Pagat në sektorin publik është miratuar në lexim të 2-të në Kuvendin e Kosovës, me 22 dhjetor 2022.
Projektligji i cili kishte nxitur reagime të shumta ka marrë mbështetjen e shumicës së deputetëve, pro të cilit kanë votuar 63 deputetë.
Në votimin e 2-të të Projektligjit për paga, deputetët e 3 partive opozitare PDK, LDK dhe AAK nuk morën pjesë ndonëse ishin të pranishëm në sallën e parlamentit.
Në vitin 2020 Gjykata Kushtetuese e Kosovës e kishte shpallur të pavlefshëm ligjin e atëhershëm për pagat në sektorin publik.
Sipas vendimit të asaj kohe, ky ligj nuk ishte në përputhje me 11 nene të Kushtetutës së Kosovës.
Më 6 dhjetor 2019, Ligjin për Paga në Gjykatën Kushtetuese e kishte dërguar Avokati i Popullit për vlerësimin e përputhshmërisë së tij me Kushtetutën.
Ligji për paga ishte miratuar në muajin shkurt të atij viti.
Ligji ishte miratuar nga Qeveria e Kosovës, e cila drejtohej nga Ramush Haradinaj.