Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka thënë se gjatë muajve të ardhshëm, përpjekjet për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë do të arrijnë një pikë kritike
Ai ka deklaruar se në kërkim të një përfundimi të suksesshëm, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian duhet të mbështesin ankorimin e pakthyeshëm të Kosovës në Perëndim dhe të shmangin ndërhyrjet malinje nga Rusia dhe Kina.
“Kjo mund të bëhet vetëm përmes një anëtarësimi të plotë në NATO. Për këtë qëllim, njohja formale e Kosovës nga të gjithë anëtarët e NATO-s dhe BE-së është një parakusht i domosdoshëm”, ka shkruar i pari i LDK-së.
Tutje, ai ka thënë se vetëm duke përforcuar sigurinë e Kosovës, SHBA-ja dhe BE-ja do të përmbushin prioritetet e tyre strategjike rajonale, do ta ndihmojnë Kosovën ‘të lulëzojë’ dhe do të sigurojë stabilitetin evropian.
“E ardhmja e Kosovës është në rrezik. Ne duhet të ngrihemi përpara me aleatët tanë perëndimorë për ta siguruar dhe mbrojtur atë”, ka shkruar tutje Abdixhiku në prestigjiozen evropiane “Euractiv”.
Lideri opozitar gjithashtu ka theksuar se normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë duhet të bazohet në parimet themelore të njohjes reciproke të 2 vendeve, duke respektuar plotësisht integritetin territorial të njëra-tjetrës, përcjell Telegrafi.
“Përtej kësaj, anëtarësimi i Kosovës në aleancën e NATO-s duhet të jetë një hap i natyrshëm që përfundon 3 dekadat e angazhimit perëndimor të vendit. Në fund të fundit, NATO ka qenë në Kosovë që nga qershori i vitit 1999; është koha e duhur që Kosova të jetë në NATO”, ka deklaruar Abdixhiku.