Të bërit biznes në Kosovë nuk është gjithmonë e lehtë, pasi investuesit përballen vazhdimisht me sfida nga më të ndryshmet, duke filluar nga ato financiare e deri te ekonomia informale, që në fakt është një ndër faktorët më të shpeshtë që një biznes i ri shuhet brenda një kohe të shkurtër, shkruan InLajmi.
Zhvillimi i sektorit privat në Kosovë nuk është ndihmuar aq shumë nga shteti e për më tepër nuk i është dhënë prioritet këtij sektori, i cili në fakt është gjeneruesi i vendeve të reja të punës dhe zhvillimit ekonomik të vendit.
Shuarja e bizneseve sigurisht që rrjedh edhe për të shkak të politikave jo të favorshme shtetërore dhe mungesës së një strategjie kombëtare të të bërit biznes.
Sipas të dhënave nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, vetëm gjatë vitit 2021 janë shuar 492 ndërmarrje ndërsa në vitin 2022, numri i ndërmarrjeve të shuara ka arritur në 457, shifra këto shqetësuese që dëshmojnë se në Kosovë nuk ekziston “klimë” e favorshme e të bërit biznes.

Eksperti i ekonomisë, Jakup Bellaqa në një deklaratë për Gazetën InLajmi, ka shpërfaqur faktorët potencialë që ndikojnë në shuarjen e bizneseve në Kosovë dhe hapat që duhet të ndërmarrë Qeveria e Kosovës që të ndikojë në zhvillimin e ekonomisë dhe hapjen e ndërmarrjeve me “mbijetesë” afatgjate.
Bellaqa tha se ekonomia informale është faktori kryesor që ndikon në shuarjen e bizneseve në Kosovë.
“Arsyet bazë apo më të shpeshta që shumë biznese shuhen brenda vitit janë se në Kosovë ende ekonomia informale është diku rreth 39 apo 40%, çka ndikon që bizneset e reja me vështirësi të hyjnë në treg, e disa edhe pasi të hyjnë në treg nuk arrijnë që të qëndrojnë gjatë, pastaj kostoja e shpenzimeve vartëse të importit është e madhe, gjithashtu pagesa e TVSH-së në kufij është tatim indirekt dhe konsumatori i fundit e paguan”, tha Bellaqi.
Gjithashtu ekonomisti Bellaqa theksoi se në Kosovë është e pazhvilluar infrastruktura e të bërit biznes ndërsa theksoi se as qasja në financa nuk është aspak e lehtë.
Bellaqa sugjeroi që të hartohet një projektligj që i favorizon prodhuesit e brendshëm.
“Një çështje tjetër bazike është se ende ka vështirësi dhe probleme infrastrukturore, ku infrastruktura e të bërit biznes eshtë e pazhvilluar, pastaj qasja në financa është jo e lehtë sepse bankat japin kredi me kamata shumë të larta. Në sektorin e prodhimit duhet të përgatitet një projektligj që i favorizon prodhuesit e brendshëm që të kalohet nga prodhimet e thjeshta në ato të zgjeruara”, tha ai për InLajmin.
Ekonomisti tha se ngritja e cilësisë së produkteve të brendshme dhe rritja e eksportit janë mjaft të rëndësishme për zhvillimin ekonomik të vendit.
“Gjithashtu duhet të ngritet cilësia e produkteve të brendshme që të jenë të konkurueshme me produktet e jashtme, si dhe të rritet cilësia e shërbimeve, gjithashtu produktet që eksportohen në vendet e jashtme te subvencionohen nga shteti, dhe të stimulohet prodhimi dhe të rritet eksporti dhe te zvogëlohet importi”, tha Bellaqa.
Sipas Bellaqës, Kosova duhet të krijojë një strategji kombëtare për zhvillimin ekonomik, si dhe të bëjë reforma në politikat tatimore dhe fiskale ndërsa për bizneset e reja sugjeron që të krijohen politika lehtësuese.
“Kosova duhet t’i avancojë treguesit makroekonomik, si investimet, konsumin, shpenzimet qeveritare dhe neto eksportin në mënyrë që të krijohet një ekonomi e qëndrueshme dhe të forcohet sektori privat sepse do te ndikojë në rritjen e prodhimit të brendshëm dhe në krijimin e vendeve të reja të punës”, tha ekonomisti për InLajmin.
Përveç problemit me shuarjen e bizneseve, Kosova po përballet vazhdimisht dhe me ikjen e fuqisë punëtore, të cilët duke mos parë prespektivë në vendin tonë si zgjidhje të vetme po e shohin migrimin, ku vetëm gjatë 2 viteve të fundit, sipas të dhënave nga Sindikata e Pavarur e Sektorit Privat, 92.300 punëtorë e kanë lëshuar vendin. Shqipe Vishaj /InLajmi/