Seanca plenare pritet të nisë në orën 10:00 këtë të enjte, ndërsa Sali Berisha dhe 7 deputetë të tjerë janë të përjashtuar nga Kuvendi për shkak të kaosit të shkaktuar në seancat e shkuara.
Ata kanë tentuar të hyjnë në Parlament, por janë ndaluar nga Garda.
6 deputetët e përjashtuar së fundmi kërkuan anulim të vendimit të Komisionit të Etikës, por kjo u rrëzua nga Byroja e Kuvendit.
Të përjashtuar në këtë seancë janë edhe Sali Berisha dhe Flamur Noka, të cilët nuk i kanë plotësuar ende ditët e përjashtimit.
Jashtë Parlamentit, Oerd Bylykbashi tha se Garda përdori dhunë fizike ndaj deputetëve.
Nga ana tjetër, para Parlamentit po mbahet protestë e organizuar nga opozita, ndërsa janë mbledhur dhjetëra qytetarë me pankarta në duar.
Deputetët e Berishës sërish këmbëngulin që mocioni me debat që është parashikuar për datën 2 mars për çështjen e ish zyrtarit të FBI-së, Charles McGonigal të zhvillohet në seancën e sotme plenare, edhe pse është parashikuar të mbahet më 2 mars, shkruan Top Channel.
Një ditë më parë, 11 deputetë kërkuan që në rendin e ditës të futej mocioni me debat për çështjen e McGonigal dhe secili prej deputetëve të ketë në dispozicion 10 minuta kohë për të folur.