Kryetari i Partisë Social Demokrate, Dardan Molliqaj është i bindur se kryeministri, Albin Kurti do ta pranojë formimine Asociacionit të Komunave me shumicë serbe.
Sipas Molliqaj, Kurti nuk thotë që nuk do të bëhet ndonjë Asociacion, por që do të bëhet një sipas Gjykatës Kushtetuese.
“Albin Kurtin nuk e keni prej që është bërë kryeministër i Qeverisë Kurti II, që thotë nuk bëjmë asnjë lloj Asociacioni. Gjithmonë, thotë një Asociacion sipas Gjykatës Kushtetuese, s’e lejon Gjykata Kushtetuese, duhet me ia ndërru emrin. Jo tash që dy vite. Kjo ka qenë arsyeja e analizës sonë që dy vite që jemi kanë të bindur që ky do ta bëjë, se ia kam këqyrë fjalinë saktë”, ka deklaruar i pari i PSD-së, në emisionin “Këndi i Debatit” në Tëvë1.
Molliqaj ka thënë se para një viti e ka analizuar se pse Kurti do ta bëjë Asociacionin.
“Unë kam qenë i vetmi përfaqësues i një partie politike që e kam shpjeguar, jo që e kam thënë se e bën, por që e kam shpjeguar që do ta bëjë Asociacionin, para një viti. Dhe kam bërë analizë se pse ka me bë, s’ka qenë në horizont, tani po bëhet. Kemi thënë që do t’i sulmoj të gjitha kategoritë shoqërore që nuk nënshtrohen, kam bërë analizë për sindikata, i ka sulmuar ma vonë”, u shpreh ai për TëVë1.
Molliqaj ka thënë se pas ndarjes nga partia e ka kuptuar karakterin e vërtetë të Vetëvendosjes.