Emisari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak ka thënë sot se takimi i 27 shkurtit që do të mbahet në Bruksel është tepër i rëndësishëm dhe se hapat e ardhshëm dhe pranimi i propozimit të BE-së varet edhe nga qëndrimet që do të mbajnë palët.
Diplomati sllovak ka thënë se qysh në shtator kanë folur me Kurtin dhe Vuçiqin për propozimin dhe se të 2, njëri në muajin janar dhe tjetri në muajin shkurt kanë thënë se e pranojnë propozimin.
Megjithatë Lajçak thotë se ka ardhur koha që ata të pranojnë edhe zyrtarisht dhe publikisht propozimin e më pas të diskutohet për implementimin e tij.
“Tani ka ardhur koha që ata të pranojnë zyrtarisht dhe publikisht propozimin dhe pastaj të diskutojnë zbatimin e tij,” ka thënë Lajçak
Siç shtoi ai për Tanjug është e rëndësishme që palët ta pranojnë zyrtarisht dhe publikisht dhe të diskutohen detaje të tjera.
Lajçak thekson se nëse të dyja palët e refuzojnë propozimin, kjo do të dërgonte një sinjal negativ se nuk janë të gatshëm të normalizojnë marrëdhëniet dhe të shkojnë në rrugën evropiane, shkruan Gazeta Express.
“Të gjithë e dinë se çfarë presim nga takimi, të gjithë e dinë se ku jemi”, ka shtuar tutje Lajçak