Kryeministri i vendit, Albin Kurti, gjatë seancës së Kuvendit të Kosovës, i është përgjigjur deputetëve opozitarë, të cilët kërkuan informacione shtesë për planin franko-gjerman, raporton InLajmi.
Kurti tha se plani franko-gjerman nuk është produkt i negocimit, por theksoi se ka ardhur si propozim nga aleatët ndërkombëtarë, pasi Serbia nuk ka qenë e interesuar për marrëveshje.
“Nuk është produkt i negocimit, propozimi meqenëse më 18 gusht të vitit të kaluar është hapur tema e kornizës së përgjithshme të marrëveshjes pa pasur takime meqenëse pala tjetër nuk ka qenë e interesuar e as e gatshme për këtë dhe 3 jave pas atij takimi vjen propozimi ne nuk kemi negociuar dhe është sjellë propozimi. Propozimi më shumë ka të bëjë me negocimin e më shumë se një dekade të dialogut të Brukselit dhe nuk është as produkt i përfshirjes së kërkesave të palëve”, tha Kurti.
Kryeministri theksoi se ky plan do të avancojë anëtarësimin e Kosovës në sistemin ndërkombëtar.
“Aleatët e Kosovës e kanë dizajnuar si një pako që do të avancojë anëtarësimin e Kosovës në sistemin ndërkombëtar dhe i cili përmban njohjen de-facto”, tha Kurti. /InLajmi/