Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, njëherësh ish-ministër i Drejtësisë, ka deklaruar se çështja e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe tani është çështje pa kthim, gjë që, sipas tij, do të realizohet pa njohje reciproke mes Kosovës dhe Serbisë.
“Siç duket, Kurti e ka marrë një drejtim, na ka bërë të qartë në 2 seancat e fundit, po ashtu me kushtet e tij, duket se tashmë kjo do ta ketë një epilog së shpejti. Çështja e jetësimit të saj që ne e quanim Asociacioni, Kurti e quante Zajednicë, është një çështje pa kthim që tashmë do të realizohet, mirëpo, fatkeqësisht jo me njohje”, ka deklaruar Tahiri
Tahiri ka thënë se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është duke lënë gjurmë në dialogun Kosovë-Serbi, pasi, sipas tij, sot është një situatë e re kur edhe marrëveshjet nga diskutimi kanë kaluar në dokumente.
“Qe pse po lë gjurmë, ne sot kemi një situatë të re në dialog, ne sot kemi një marrëveshje para vetës në dialog, ne sot e kemi planin franko-gjerman, kemi parë sa kemi atë prej mediave edhe RTV dukagjini që ka nxjerrë në publik i pari një dokument jashtëzakonisht të rëndësishëm”, është shprehur Tahiri i PDK-së, për përgjigjen se pse Kurti po lë gjurmë në dialog.
“Nuk vijnë marrëveshjet në tavolinë merre ose lëre, ky është angazhim i përbashkët, kjo marrëveshje, plani franko-evropian është produkt i një diskutimi deri në shtator të vitit të kaluar, nga 1 shtatori ka filluar ta marrë formën si dokument”, është shprehur tutje ai.
Tahiri ka deklaruar se PDK-ja ka kërkuar nga Kurti që kjo marrëveshje në qendër ta ketë njohjen reciproke, duke shtuar se Kosovës dhe popullit i duhet çështja me Serbinë të mbyllet, shkruan TV Dukagjini.
Tutje, ai ka thënë se një prej fushave që kryeministrin Kurti PDK-ja e ka lënë të qetë, ka qenë pikërisht dialogu.