Konfidencialiteti është një nga detyrat më të rëndësishme profesionale të të gjithë punonjësve shëndetësorë, kjo nënkupton që atyre u janë besuar informatat e pacientit dhe ato asesi nuk guxojnë të kalojnë te pala e tretë pa autorizim. Por jo gjithmonë respektohet privatësia e pacientit, pasi ka raste kur shkelet konfidencialiteti i pacientit nga ana e mjekëve në Kosovë, shkruan InLajmi.
Pra, jo të gjithë mjekët janë brenda përgjegjësive të tyre në raste, pasi bëjnë shkelje ligjore duke mos ruajtur të dhënat konfidenciale të pacientëve. Ruajtja e konfidencialitetit në Kosovë është rregulluar me ligjin që përcakton të drejtat, përgjegjësitë, parimet dhe masat ndëshkuese lidhur me mbrojtjen e të dhënave personale dhe privatësisë së individit. Por përkundër këtij ligji, duket se konfidencialiteti nuk respektohet në shumë raste ndërsa kjo problematikë thellohet edhe më shumë për shkak të hezimit të pacientëve për t’i lajmëruar e denoncuar këto raste.
Nga Shoqata e të Drejtave të Pacientëve në Kosovë thonë për InLajmin se stafi shëndetësor nuk është shumë i përkushtuar për mbrojtjen e privatësisë së pacientëve të tyre.
Tutje, nga kjo shoqatë thonë se institucionet shëndetësore nuk kanë krijuar kushte të mjaftueshme për mbrojtjen e privatësisë së pacientëve.
“Institucionet shëndetësore nuk kanë krijuar kushte të mjaftueshme për mbrojtjes të privatësisë së pacientëve. E para është infrastruktura fizike ajo që e pengon një gjë të tillë. Mandej institucionet nuk kanë sisteme të mira të menaxhimit të të dhënave shëndetësore të pacientëve.”
Zyrtarë nga Shoqata e të Drejtave të Pacientëve në Kosovë për Gazetën InLajmi, deklaruan se përkundër denoncimit të pacientëve për shkeljen e konfidencialitetit, masat ndaj punonjësve shëndetësorë janë mjaft të kufizuara.
“Masat që merren në këto raste janë shumë të kufizuara. Dënimet janë shumë simbolike edhe pse do të dihej të ishin më të mëdha në raste të tilla”.
Nga ana tjetër, nga Oda e Mjekëve të Kosovës në një përgjigje me shkrim pë Gazetën InLajmi bëjnë të ditur se ka raste kur shkelet e drejta e konfidencialitetit të pacientëve, që është e paraparë edhe me Ligjin për Mbrotjen e të Dhënave Personale dhe Ligjin për të Drejtat dhe Përgjegjësitë e Banorëve të Kosovës në Sistemin Shëndetësor.
“Konsiderojmë se ka raste kur edhe shkelet e drejta e konfidencialitetit të pacientit, me theks të veçantë rastet specifike (kryesisht ato për te cilat po hapen hetimet nga organet e hetuesisë), kur mjekët japin deklarime dhe informacione për pacientin për mediat më shumë sesa është e lejuar në bazë të Ligjit për Mbrojtjen e të dhënave Personale NR. 06/L-082 dhe Ligjit për të Drejtat dhe Përgjegjësitë e Banorëve të Kosovës në Sistemin Shëndetësor Nr.2004/38. Oda e Mjekëve të Kosovës edhe në mënyrë zyrtare ka përcjellë shkresë zyrtare Drejtorit të ShSKUK-së lidhur me ruajtjen e konfidencialitetit të pacientit, respektivisht obligimin të cilin mjeku ka ndaj ruajtjes së konfidencialitetit”.
Drejtori i Odës së Mjekëve të Kosovës, Pleurat Sejdiu, thotë se në 2 vitet e fundit nuk është pranuar ndonjë ankesë zyrtare për shkelje të konfidencialitetit të pacientëve.
“Sipas evidencave të saj zyrtare, Oda e Mjekëve të Kosovës nuk ka pranuar asnjë ankesë zyrtare lidhur me pretendimin për shkelje të konfidencialitit të pacientit”, tha Sejdiu për InLajmin.
Sejdiu njofton se shkelja e konfidencialitetit sipas Kodit Etik dhe Denontologjisë Mjekësore cilësohet si “shkelje e rëndë”
“Në bazë të rregullores për përcaktimin e Llojit të Shkeljeve Etike dhe Procedurat e Mbikëqyrjes Etike 28/2022, respektivisht në Kodin e Etikës dhe Deontologjisë Mjekësore KO. 32/2019, neni 30 përcakton të drejtën e të sëmurit për t’u informuar, respektivisht se kush mundet të jetë i informuar lidhur me gjendjen e tij shëndetësore”, tha ai.
Drejtori i Odës së Mjekëve të Kosovës thekson se ndaj rasteve të tilla merren masa nga ato disiplinore deri te dënimet me të holla.
“Kjo shkelje kategorizohet në mesin e shkeljeve të rënda disiplinore, e që për shkeljet e rënda organi kompetent i mbikëqryjes etike mund të shqiptojë njërën nga këto masa: arsimim shtesë dhe të detyrueshëm pasuniversitar dhe trajnim, trajtimi i detyrueshem nga alkooli, droga dhe vese të tjera; tërheqje e përkohshme ose e përhershme e licencës dhe fshirja e profesionistit shëndetësor nga regjistri; dënimi me të holla 1.000 deri në 3.000 euro për çdo shkelje të ligjit, detyrave profesionale dhe etike”.
Ndryshe, në Kosovë konfidencialiteti nuk është se respektohet gjithmonë, ndërsa ka raste kur shkelet kjo e drejtë e pacientëve nga ana e punonjësve shëndetësorë, por pak nga këta pacientë ankohen sepse në përgjithësi mungojnë informatat se me ligj mbrohet e drejta e pacientëve, e shpesh nuk kanë informata e as nuk dijnë se ku mund t’i raportojnë rastet e shkeljes së konfidencialitetit. Shqipe Vishaj /InLajmi/