Ish-kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, i është bashkuar Lidhjes Demokratike të Kosovës, përcjell InLajmi.
Lajmin e bëri të ditur kryetari i LDK-së Lumir Abdixhiku, i cili tha se “Berati me gjithë bagazhin e tij intelektual e profesional do t’i japë vlerë projektit tonë politik”.
Abdixhiku theksoi se LDK është e lumtur që atyre u janë bashkuar aktivistë të shoqërisë civile, ligjërues akademikë, deputetë e kryetarë komunash.
Në fund, ai premtoi se kjo parti do t’i japë vendit një zgjedhje politike të pastër, profesionale e ndërtuese të së ardhmes.
Postimi i plotë i tij:
Ligjëruesi universitar e doktoranti i ekonomisë Berat Rukiqi, nga sot është pjesë e Lidhjes Demokratike të Kosovës. Si ekonomist i dalluar e si aktivist i pandalshëm i angazhimit publik për një shoqëri të zhvilluar, Berati me gjithë bagazhin e tij intelektual e profesional do t’i japë vlerë projektit tonë politik.
Berat Rukiqi ka magjistruar në Bruksel mbi Politikat Ekonomike të Bashkimit Evropian; gjersa vazhdon studimet e doktoratës në Universitetin e Prishtinës. Si udhëheqës i Odës Ekonomike të Kosovës, ai ka artikuluar në vazhdimësi pikëpamje të një ekonomie të lirë e të fuqishme. Ai i njeh mirë të gjitha sfidat e sektorit privat, sikurse dhe njeh mirë domosdoshmërinë e kohës për një ambient që ankoron vendin tonë në stade të reja zhvillimore.
LDK është e lumtur që – si adresë e vetme e njerëzve profesionistë – po shton radhët e veta secilën ditë. Gjatë vitit të fundit, sikurse Berati, LDK-së e strukturave tona u janë bashkuar aktivistë të shoqërisë civile, ligjërues akademikë, deputetë e kryetarë komunash. Të gjithë bashkë, do t’i japim vendit një zgjedhje politike të pastër, profesionale e ndërtuese të së ardhmes.
Mirë se vjen Berat!
Na priftë e mbara. /InLajmi/