Takimi i ardhshëm për vazhdimin e dialogut mes Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, është caktuar të mbahet me 27 shkurt, ndërsa sipas deklaratës zyrtare nga Bashkimi Evropian, bëhet e ditur se pjesëmarrjen tashmë e kanë konfirmuar të 2 zyrtarët e lartë shtetëror, shkruan InLajmi.
Për arritjen e një progresi drejt normalizimit të marrëdhënieve të 2-ja vendet janë nën presionin ndërkombëtarë, ndërsa pritjet janë për një progres në dialog sikur edhe në çështjen e Asociacionit, pavarësisht dallimeve që ekzistojnë mes 2 vendeve në raport me Asociacionin dhe njohjen reciproke.
Me gjithë dallimet e mëdha që ekzistojnë analistët besojnë se takimi i 27 shkurtit do të sjell përparim në dialog dhe do të jetë themeli i zgjidhjes së konfliktit shumëvjeçar ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Dallimet mes 2 vendeve për arritjen e marrëveshjes në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve, do të përafrohen për shkak të presionit nga faktori ndërkombëtar ndaj 2 liderëve, mendon analisti politik Dritëro Arifi. Sipas tij presioni ndërkombëtar do të reflektojë përparim në gjithë procesin dialogues me theks në zgjidhjen e çështjes së formimit të Asociacionit.
“Po besoj që me datën 27 shkurt mund të ketë përparim edhe normal se duhet të ketë pasi që presioni është jashtëzakonisht i madh tek të 2-ja palët, por që normalisht kërkesat e të 2-ja palëve janë ato që tanimë veçse dihen pasi që janë publikuar. Qeveria e Kosovës edhe ashtu i ka parashtruar 6 kushte, pra gjithë këtë mund ta bëjë me një fusnotë që Asociacioni mund të hyjë në fuqi në momentin që kemi njohje ligjore nga shteti serb, e kjo gjë normal që do i gëzonte të 2-ja palët”, tha analisti Dritëro Arifi.
Kurse njohësi i çështjeve të Sigurisë, Drizan Shala ka thënë takimi mes Kurtit dhe Vuçiqit përveçse do të jetë një përparim për Asociacioni, do jetë përmbyllje e konfliktit të ngrirë mes Kosovës dhe Serbisë që nga viti 99.
“Takimi i 27 shkurtit do të jetë bazament për të përmbyllur një konflikt të ngrirë në mes Kosovës dhe Serbisë që u krijuar që nga 99 e tutje”, tha Shala për InLajmin.
Shala thekson poashtu se të 2-ja palët duhet ta kenë parasysh së para vetes kanë planin franko-gjerman që dihet se bazë e ka Departamentin e Shtetit, e ky i fundit është çelësi implementimit në Euroatlantik.
“Duhet të themi që plani franko-gjerman apo i Evropës është një plan që bazën e ka në Departament të Shtetit i cili është çelësi kryesor i implementimit të trasesë Euroatlantike të Serbisë dhe Kosovës. Për gjatë këtij procesi të planit që ishte startuar në shtator 2022 mund të konkludojmë që Asociacioni do të jetë pengesa kryesore e vazhdimit apo jo të planit Evropian”, tha njohësi i çështjeve të Sigurisë Drizan Shala për InLajmin.
Shala ka përmendur propozimet për ASK-në të cilat përfshijnë modelin kroat.
Sipas tij partnerët strategjik e dëshriojnë zbatimin e modelit të lartë cekur, por që në rast se zbatohet atëherë duhet me patjetër të ruhet unitariteti i Kosovës.
“Sipas propozimeve në tavolinë për ASK janë modeli kroat, modeli si Këshilli Ncional Shqiptar në Luginë si dhe një zgjerim të vetqeverisjes lokale. Në anën tjetër partnerët strategjik të politikës globale e dëshirojnë që ASK të jetë e implementushme, ai i nënshkruar në Bruksel më 2013 ku jep një garancë më të zgjeruar, autonomi në disa segmente, por duke mos dëmtuar unitaritetin e Kosovës në aspektin horizontal dhe vertikal”, përfundoi Shala. Arjanita Osmanaj /InLajmi/