Gjatë kësaj jave në tërë rajonin tonë nuk priten ndryshime të mëdha të motit.
Nën ndikimin e fortë anticiklonik nuk do të kemi reshje atmosferike, ndërsa anticikloni do të jetë i shoqëruar me masat e acarta siberike. Intervalet e gjata kohore me diell do të paraqiten pothuajse çdo ditë, por përkundër kësaj mbetet shumë ftohtë deri afër fundit të javës. Në Mesjavë mund të paraqitet edhe mjegulla nëpër lugina.
Mesi i javës shënon kulmin e acarit sidomos orëve të hershme të mëngjesit për shkak të kthjellimit të motit, dobësimit të erërave dhe mundësisë së shfaqjes së mjegullës nëpër lugina, ndërsa fundjava do të kushtëzojë zbutje të acarit dhe rritje graduale të temperaturave. Acar pritet edhe në viset mesdhetare, por temperaturat ditore kalojnë në “plus”.
Temperaturat do të lëvizin nga -10 deri në 2 gradë Celsius zonat kontinentale. Në fundjavë rritje e temperaturave në tërë rajonin. Në disa vise malore edhe më ftohtë (-15,-16 gradë Celsius), ndërsa në veri të Malit të Zi deri në -20 gradë Celsius, shkruan Meteo Ballkan.
Pra, një javë me mot kryesisht stabil dhe me acar. Nuk priten zhvillime tjera që ia vlenë të përmendet, sidoqoftë ndryshime të vogla mund të ndodhin dhe për çdo ndryshim eventual do të njoftoheni me kohë në postimet tona të përditshme.