Derisa numri i viktimave nga tërmeti në Turqi vjen duke u rritur – aktualisht mbi 5 mijë – institucionet e Kosovës konfirmojnë se, tash për tash, në mesin e tyre nuk ka asnjë shtetas të Kosovës.
Në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës thonë se kanë arritur t’i identifikojnë dhe kontaktojnë 3 familje nga Kosova, ashtu si dhe një ekip të mundësve kosovarë, të cilët kanë qenë duke qëndruar në zonën e goditur nga tërmeti, mëngjesin e 6 shkurtit.
“Me qytetarët që kanë qenë atje në kohën e tërmetit, ambasada e Republikës së Kosovës në Ankara është në komunikim dhe e gatshme për t’i ndihmuar për kthim në Kosovë, apo në ndonjë formë tjetër”, thanë nga MPJD-ja, pa dhënë më shumë detaje.
Ekipi i mundjes i Kosovës, i drejtuar nga trajneri Ziber Xhoni, mundësit Fatlum Beka, Bleonit Bytyqi dhe Egzon Xhoni, si dhe sekretari i Federatës së Mundjes, Genci Fazlia, ndodheshin në Turqi për të marrë pjesë në turneun “12 Shkurti”, i cili është pjesë e kalendarit zyrtar të garave ndërkombëtare të mundjes.
Fazlia konfirmoi për REL-in se ata, aktualisht, ndodhen në Stamboll dhe se presin që mbrëmjen e 7 shkurtit të udhëtojnë me avion drejt Shkupit të Maqedonisë së Veriut.
Kosova i ofroi mbështetje Turqisë pas tërmetit, duke i dërguar pjesëtarë të Forcës së saj të Sigurisë, të trajnuar për operacione të kërkim-shpëtimit.