Ministri i jashtëm i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani thotë se fushata e zgjedhjeve të parakohshme në Bullgari dhe tensionet politike në Maqedoninë e Veriut janë shkaktarë të përshkallëzimit të marrëdhënieve mes 2 vendeve.
Ai thotë se mosmarrëveshjet duhet zgjidhur me dialog për të mos iu lënë hapësirë “përfituesve politikë dhe provokatorëve”.
Në cilësinë e drejtuesit të OSBE-së, ai flet edhe për sfidat e luftës në Ukrainë, si dhe për përplasjet brenda Bashkimit Demokratik për Integrim, ku ai bën pjesë, shkruan VOA.
Marrëdhëniet e Maqedonisë së Veriut me Bullgarinë janë historikisht të vështira, komplekse dhe në pak periudha në të kaluarën kanë arritur një stabilitet të qëndrueshëm. Shpallja e zgjedhjeve të parakoshme në Bullgari dhe tensionimi politik këtu në Maqedoninë e Veriut ka çuar në krijimin e kësaj situate. Këto situata zakonisht i nxisin edhe më tepër debatet e tilla. Nëse reagimi bullgar lidhet me incidentin në Ohër, mund të konstatohet si disproporcional sepse shteti ka ndërmarrë të gjitha masat e duhura për ta izoluar atë rast dhe për t’i identifikuar, për t’i nxjerrë para drejtësisë dhe për t’i dënuar autorët. Unë bëj thirrje për gjakftohësi. Tani duhet një ulje e tensioneve dhe rikthim i komunikimit normal mes 2 shteteve që mos t’u lëmë hapësirë përfituesve politikë dhe provokatorëve që nga kjo të ushqehen dhe të ndërtojnë karrierat e tyre politike, tha ai.