Ministri i Mbrojtjes Armend Mehaj, ka bërë homazhe te varrezat e dëshmorëve në Rogovë të Hasit, përcjell InLajmi.
Mehaj thotë se duke kujtuar e nderuar sakrificën dhe gjakun e derdhur për liri, jemi më të fuqishëm për të ndërtuar të tashmen dhe të ardhmen tonë.
Ndryshe, më 29 janar përkujtohet 24-vjetori i Masakrës së Rogovës së Hasit, ku ranë heroikisht 21 dëshmorë të kombit.
Postimi i plotë i tij:
Me kujtimin dhe nderimin e përjetshëm, sot në përvjetorin e 24-të, bëmë homazhe tek Monumenti i Dëshmorëve në Rogovë të Hasit si dhe tek varrezat e dëshmorëve.
Në datat 27, 28 dhe 29 janar të vitit 1999, ranë heroikisht dëshmorë të kombit, 21 luftëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe shumë civilë të fshatit.
Po ashtu, në këtë datë, kujtojmë edhe nëntë të rënë të tjerë në fshatin Goden dhe Bishtazhin të komunës së Gjakovës.
Duke kujtuar e nderuar sakrificën dhe gjakun e derdhur për Liri, jemi më të fuqishëm për të ndërtuar të tashmen dhe të ardhmen tonë!
Të lavdishëm gjithmonë! /InLajmi