FIFA ka përgëzuar Federatën e Futbollit të Kosovës për përgatitjen e statutit të ri.
E njëjta ka theksuar që së bashku me UEFA-n kanë punuar nga afër me FFK-në për përgatitjen e Statutit, duke konfirmuar që ky draft-statut është hap i drejtë dhe i duhur në përmbushjen e objektivës së përbashkët të qeverisjes dhe administrimit të mirë.
“Në veçanti, do të doja ta shfrytëzoja këtë mundësi që të ju përgëzoj për punën e bërë në përditësimin e Statutit të Federatës së Futbollit të Kosovës. Së bashku me kolegët tonë të UEFA-s, nga afër kemi përcjellë në vazhdimësi procesin, dhe kemi besim se statuti i ri, i cili është prezantuar për aprovim në Kuvendin tuaj sot, është hap i drejtë dhe i duhur në drejtim të përmbushjes se objektives së përbashkët të qeverisjes dhe administrimit të mirë”, thuhet ndër të tjera nga FIFA, shkruan lajmi.net.
FIFA ka dhënë edhe një herë rikonfirmim të vazhdimit të bashkëpunim të frytshëm në mes të FIFA, UEFA dhe FFK në të ardhmen, duke asistuar në rritjen e standardeve të qeverisjes së mirë në futboll.