Ish-kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj aktualisht lider i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, pritet të udhëtojë drejt Shteteve te Bashkuara të Amerikës. Shkak për këtë udhëtim të tij është dialogu Kosovë Serbi dhe gjetja e një zgjidhjeje përfundimtare mes palëve.
Lajmin e ka konfirmuar vet Ramush Haradinaj për Gazeta Blic.
“Po planifikoj të udhëtoj në fund të këtij muaji”, ka thënë Haradinaj pa saktësuar datën ose nivelin e takimeve që do të ketë në SHBA.
Ramush Haradinaj pritet të udhëtoj me 26 janar për në SHBA. Ky udhëtimi i Haradinajt lidhet direkt me dialogun Kosovë-Serbi dhe se ish-kryeministri i Kosovës do të ketë takime të nivelit të lartë.
Haradinaj disa herë në paraqitjet e tij publike ka përkrahur planin franko-gjerman, të cilin ai e ka quajtur si plan të SHBA-së dhe NATO-s e ku sipas tij në këtë dokument parashihet edhe njohja e Kosovës nga Serbia.
Disa herë i ka bërë thirrje kryeministrit aktual të Kosovës Albin Kurti që ta pranojë këtë plan duke thënë se SHBA dhe BE janë ‘lodhur’ nga politika që po ndjek Kurti karshi këtij plani.
Haradinaj ka thënë se Kurti me veprimet e tij të fundit sidomos në Veriun e Kosovës po ndjek agjendën e politikës së Serbisë dhe Rusisë, duke i vënë pengesa diplomatëve amerikanë dhe atyre evropian që marrëveshja Kosovë Serbi të arrihet bazuar në planin franko-gjerman deri kah marsi i këtij viti. SHBA dhe BE vazhdimisht po kërkojnë që sa më shpejt të nis draftimi i Statutit të Asociacionit të Komunave me Shumicë serbe, e për të cilin kryeministri Kurti ka thënë disa herë se nuk do të ketë asnjë lloj asociacioni në Kosovë.
5 diplomatë nga SHBA dhe Gabriele Escobar Mirsolav Lajçak dhe përfaqësuesit e Francës, Gjermanisë dhe Italisë, ishin për vizitë në Kosovë javën e kaluar ku patën një takim me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti. Takimi zgjati më shumë se 2 orë e ku në fund diplomati i lartë i BE, Miroslav Lajçak tha se takimi nuk ishte i lehtë por sipas tij ‘konstruktiv’.
Ai, por edhe diplomatët amerikanë kanë thënë se janë të pakënaqur me ‘mirëkuptimin’ nga ana e Qeverisë së Kosovës lidhur me propozimin franko-gjerman.