Kryetarja e Lëvizjes Evropiane të Serbëve nga Kosova, Rada Trajkoviq ka deklaruar se Kisha Ortodokse Serbe është vegla kryesore e pushtetit destabilizues të Aleksandar Vuçiqit.
Trajkoviq thekson se barrikadat e ngritura në veri të Kosovës ishin bërë nga grupi mafioz që drejtohet nga Milan Radoiçiqi.
“Fatkeqësisht, vegla kryesore e pushtetit destabilizues të Vuçiqit është Kisha Ortodokse Serbe, e cila së bashku me Kishën Ruse po destabilizojnë me sukses rajonin”, tha Trajkoviq.
Ajo ka akuzuar patriarkun Porfirije për përmbushjen e urdhrave politike të Vuçiqit.
Sipas saj, grupi mafioz i Radoiçiqit është përgjegjës për destabilizimin e veriut të Kosovës.
“Më shumë se 600 të rinj serbë nga veriu i Kosovës janë dërguar në Rashkë, ku janë trajnuar për rezistencë ndaj shqiptarëve. Kam frikë se Vuçiq, i cili është një eksponent kryesor i politikës ruse në Ballkan, është pjesë e propagandës”, shton ajo.
Këshilltarja e ministrit për Kthim në Qeverinë e Kosovës, Nenad Rashiq pohon se Vuçiq nuk do të vendosë kurrë sanksione ndaj Rusisë.
“Nëse Beogradi nuk jep një deklaratë përfundimtare për Rusinë, Kosova do të marrë gjithnjë e më shumë mbështetje nga NATO-ja, do të forcohet dhe do të investojë në potencialin ushtarak të Kosovës. Vuçiq nuk do të vendosë kurrë sanksione ndaj Rusisë”, pohon Trajkoviq.
Ajo pyeti se pse nuk dëgjohet fortë zëri i partive opozitare kundër politikës së Vuçiqit duke vlerësuar se një zë të tillë do ta përkrahnin ata të cilëve kufijtë u janë të kërcënuar nga veprimet e regjimit të Vuçiqit, tha ajo për Autonomija.
“Në ato shoqëri, Serbia mund të gjente shumë miq dhe bashkëpunëtorë si në Bosnje dhe Hercegovinë, ashtu edhe në Mal të Zi, një vend që, siç dihet, gjithmonë u ka ofruar strehë liderëve të opozitës demokratike në Serbi”, shton ajo, transmeton Telegrafi.
Në fund, Trajkoviq ka akuzuar Vuçiqin se është “një njeri që lufton vetëm për veten e tij” dhe se nuk kujdeset për qytetarët serbë.