Trupi juaj pëson shumë ndryshime gjatë shtatzanisë dhe për rrjedhojë nevojitet më tepër kujdes për të ruajtur lëkurën. E rëndësishme është që ky kujdes të vazhdojë edhe pas lindjes, për të pasur rezultate të kënaqshme.
Çfarë ndodh me lëkurën e barkut gjatë shtatzënisë?
Ashtu si çdo pjesë e trupit tuaj që rritet ose fryhet si gjoksi ose këmbët ndërsa stërviteni dhe filloni të ndërtoni muskuj, lëkura si një organ i gjallë do të zgjerohet rreth mitrës në periudhën e shtatzënisë. Ndërsa kjo ndodh, ka zona të barkut që mund të tendosen, dhe në varësi të gjenetikës së një personi dhe aftësisë së lëkurës së tij për t’u përshtatur me këtë ndryshim, kjo mund të shkaktojë strija.
Çfarë ndodh me lëkurën e barkut pas shtatzënisë?
Edhe pse mund të mendoni se këto ndryshime janë të kufizuara vetëm gjatë shtatzënisë, pasi mitra juaj (dhe për rrjedhojë lëkura e barkut) po zgjerohet, zona vazhdon të transformohet edhe pasi keni lindur. Kjo mund të përkthehet në lëkurë të lirshme ose të varur në zonën e barkut, pasi trupi juaj zvogëlohet në madhësi. Çdo strijë që shfaqet në shtatzani do të mbetet edhe më pas, pavarësisht se mund të zbehen me kalimin e kohës.
Mos trajtoni vetëm ndryshimet që mund të shihni
Lëkura në barkun tuaj duket se përjeton ndryshime shumë më tepër gjatë dhe pas shtatzënisë se çdo zonë tjetër të trupit. Shenjat e strijave dhe lëkura e varur mund të shfaqen në zona të trupit tuaj, të tilla si anët e belit dhe shpina. Pra, sigurohuni t’i trajtoni ato me të njëjtën vëmendje që trajtoni barkun.
Ndiqni rutinën tuaj pas shtatzënisë
Është e lehtë të mbani mend të trajtoni lëkurën e barkut kur mund ta shihni (dhe ta ndjeni) atë teksa ndryshon, por është pak më e vështirë kur kjo periudhë ka kaluar dhe tani keni një foshnjë për t’u kujdesur gjatë gjithë ditës. Sado sfiduese të jetë, është e rëndësishme të vazhdoni rutinën tuaj të kujdesit për lëkurën e barkut gjatë periudhës pas lindjes. Kjo mund të jetë veçanërisht e dobishme për këdo që ka lëkurë me tendencë për strija, sepse ato mund të shfaqen edhe kur lëkura tkurret shumë shpejt.
Eksfolioni lëkurën
Hapi i parë në pothuajse çdo rutinë të kujdesit të lëkurës është të eksfoloni në mënyrë që të hiqni çdo lëkurë të vdekur, papastërti dhe grumbullim të baktereve dhe të krijoni një terren të zbrazët për gjithçka që vijon. Kur bëhet fjalë për eksfoliantët kimikë, është e rëndësishme që së pari të konsultoheni me mjekun tuaj. Eksoflimin e barkut mund ta praktikoni një herë në javë.
Hidratojeni lëkurën
Dihet se lëkura i thith më mirë përbërësit që aplikojmë kur ka nivelin e duhur të lagështisë, kështu që ky është një hap shumë i rëndësishëm. Ekspertët këshillojnë që pasi dilni nga dushi, ta lini ende hapur atë me ujë të nxehtë, me qëllim krijimin e avujve në ambientin e banjës. Në këtë mënyrë, krijohen kushtet që lëkura e barkut tuaj të jetë në gjendje të thithë gjithçka. Më pas, është koha për atë që është padyshim pjesa më e dukshme e kujdesit për lëkurën e barkut: hidratimi. Është e rëndësishme të mbani lëkurën e barkut të ushqyer, qoftë me krem apo vaj, sepse kjo mund të rrisë elasticitetin dhe butësinë e saj. Hidratimi mund të vijë në formën e një esence, toneri, serumi ose pothuajse çdo lëngu tjetër të lehtë, shkruan Anabel Magazine.
Ruajeni lëkurën të butë
Hapi i fundit i një rutine të plotë të kujdesit të lëkurës së barkut, është të mbani gjithçka brenda lëkurës me një hidratues që formon një shtresë mbrojtëse në sipërfaqen e lëkurës për të vulosur të gjithë hidratimin që sapo keni shtuar dhe për të parandaluar çdo humbje lagështie. Mund të përdorni një vaj, një balsam, një krem ose një zbutës (hidratues i trashë).