Presidentja e vendit Vjosa Osmani, ka bërë homazhe te varri i ish-presidentit Ibrahim Rugova në kuadër të 17-vjetorit te vdekjes së tij, raporton InLajmi.
Osmani thotë se Rugova i dha zë kërkesave dhe të drejtave të popullit të Kosovës për liri e pavarësi.
Gjithashtu ajo thotë se trashigimia që la pas Rugova u ka shërbyer si dritë udhërrëfyese në përpjekjet e tyre që të forcojnë shtetin e Kosovës.
“Sot, në këtë përvjetor të shkuarjes në amshim të presidentit historik dr.Ibrahim Rugovës, e përkujtojmë me mall njeriun, i cili i dha zë kërkesave e të drejtave të popullit të Kosovës për liri e pavarësi. Trashëgimia që la pas na shërben si dritë udhërrëfyese në përpjekjet tona të pandalura që ta forcojmë shtetin tonë, shtetin që u ndërtua me aq shumë mund e sakrificë të shumë burrave e grave të Republikës së Kosovës”, tha ajo.
Gjithashtu ajo premtoi se miqësitë që i ka krijuar Rugova me aleatët ndërkombëtarë do të vazhdojnë t’i ruajnë e t’i focojnë edhe tani në kohën kur Kosova po përballet me sfida.
“Ashtu siç diti presidenti Rugova të ndërtojë miq e aleatë, të cilët e mbështeten Kosovën në ditët më të errëta e të rënda të saj, ashtu do t’i ruajmë edhe ne në rrugën përpara përderisa Kosova vazhdon të përballet me sfida. I përjetshëm qoftë kujtimi për të, trashëgimia e tij do të rrojë përherë”, tha Osmani. /InLajmi/