Më 21 janar shënohet 103-vjetori i Kongresit të Lushnjes, shkruan InLajmi.
Kongresi i Lushnjes ose zyrtarisht Mbledhja Kombtare e Lushnjes i zhvilloi punimet nga 21-31 janar të vitit 1920, në të cilin u miratua një akt kushtetues për pavarësinë e plotë të Shqipërisë.
Në këtë kongres u zgjodh edhe këshilli i lartë prej 4 vetash, në krye të të cilit u emërua Aqif Tapalloi, që do të kryente funksionet e kryetarit të shtetit dhe një këshill kombëtar me 37 veta. Kryeministër u zgjodh Sulejman Delvina.
Kongresi i Lushnjes kreu punimet në shtëpinë e patriotit lushnjar, Kasëm Fuga. Në Kongres morën pjesë delegatë të zgjedhur nga e gjithë Shqipëria.
Qëllimi i Kongresit ishte studimi i situatës së brendshme dhe të jashtme të vendit dhe masat që duhet të merreshin për shpëtimin nga reziku i coptimit të Shqipërisë.
Kongresi vendosi unanimisht rrëzimin e qeverisë së Durrësit, e njëkohësisht zgjodhi imzot Luigj Bumçin, Mehmet Konicën dhe Dr. Turtullin, si përfaqësues legjitimë të popullit shqiptar, në delegacionin e Konferencës së Paqes në Paris.
Në mbledhjen e 4-të që u mbajt më 30 janar, kongresi zgjodhi si anëtarë të Këshillit të Lartë, imzot Bumçin, Aqif Pashë Elbasanin, Abdi Toptanin dhe dr. Turtullin. Pas kësaj u zgjodh dhe përbërja e qeverisë së re, e dalë nga ai kongres e cila kryesohej nga kryeministri Sulejman Delvina. Pas Delvinës, në atë qevri u zgjodhën dhe Ahmet Zogu, ministër i Brendshëm, Mehmet Konica, ministër i Punëve të Jashtme, Hoxhë Kadria, ministër i Drejtësisë, Ndoc Çoba, Ministër i Financave, Sotir Peci, Ministër i Arsimit, Ali Riza Kolonja, ministër i Luftës, Eshref Frashëri, drejtor i Përgjithshëm i Punëve Botore dhe Idhomene Kosturi, drejtor i Përgjithshëm i Postë-telegrafëve.
Menjëherë pas përfundimit të kongresit në Lushnjë, po atë pasdreke të 31 janarit, Ahmet Zogu që u zgjodh Ministër i Punëve të Brendshme, u dërgoi të gjitha prefekturave një qarkore nga qyteti i Lushnjes, me anë të së cilës i bënte të ditur popullit shqiptar arsyet për mbajtjen e Kongresit Kombëtar të Lushnjes dhe u shpjegonte atyre vendimet që mori ajo mbledhje historike, për shpëtimin e Shqipërisë nga rreziqet që e kërcënonin. /InLajmi/