Vizita e 5 emisarëve të BE-së dhe SHBA-së në Kosovë dhe Serbi ka shtuar shpresat për përparim në procesin e dialogut dhe normalizimin e marrëdhënieve mes të 2-ja vendeve, shkruan InLajmi.
Këto takime intensive nga Evropa e SHBA-ja dhe propozimi i planit franko-gjerman po cilësohen si sinjal pozitiv për arritjen e një marrëveshjeje finale mes Kosovës dhe Serbisë.
Kështu mendon edhe analisti Fidan Ukaj, i cili në një deklaratë për InLajmin, thotë se angazhimi i ndërkombëtarëve do të prodhojë rezultate, që palët të përmbyllin sagën e bisedimeve të nisura tash e një dekad.
Ukaj vizitën e emisarëve evropianë e amerikanë e sheh si përpjekje mjaft serioze në përafrimin e palëve dhe integrimin e tyre në Bashkimin Evropian.
“Vizita e fundit e emisareve në Kosovë është përpjekja më serioze ndërkombëtare tash e një dekad për arritjen e një marrëveshje finale bazuar në planin franko – gjerman. I gjithë ky angazhim ndërkombëtarë më në fund do të prodhojë rezultate, që palët të përafrohen duke e përmbyllur sagën e bisedimeve tash e një dekad, duke e shtyrë gjithë Ballkanin Perëndimor drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian”, tha Ukaj për InLajmin.
Njësoj mendon edhe analisti politik Blerim Gashi, i cili thotë se kjo vizitë qartëson edhe më shumë planin franko-gjerman, i cili deri tani megjithëse nuk është bërë ende publik, besohet se do të jetë bazë e mirë për arritjen e një marrëveshjeje finale mes të 2-ja vendeve.
“Vizita e emisarëve qartëson edhe më shumë planin franko-gjerman dhe vërteton përkushtimin e SHBA-së për ecjen tutje të procesit të finalizimit të këtij propozimi”, tha Gashi për InLajmin.
Gjithashtu Gashi thekson se ky riangazhim i faktorëve ndërkombëtarë do të zvogëlojë mundësitë për zvarritjen e dialogut nga pala serbe.
Analisti vlerëson se Kosova tani do ta ketë të vështirë t’i ikë obligimit “fatkeq” për Asociacionin, pasi siç dihet SHBA dhe BE veçse e kanë kërkuar “me ngulm” themelimin e tij, e ky me shumë gjasa do të jetë kompromisi që Kosova duhet ta bëjë për ecjen përpara në procesin e dialogut.
“Gjasat që të arihet nje akord parafinal apo një gjysëmfinale janë skenari më optimist që duhet pritur nga ky riangazhim i jashtëzakonshem i faktorëve ndërkombëtarë sepse mundësitë për zvarritje nga ana e palës serbe janë zvogëluar tejmase e në anën tjetër mundësitë për t’i ikur obligimit “fatkeq” për Asociacion janë gjithashtu vështirë të tejkalueshme”.
Rikujtojmë se vizita e 5 emisarëve amerikanë e evropianë është paralajmëruar një muaj më herët nga presidentja e vendit Vjosa Osmani, e cila kishte thënë se emisarët do të vijnë për të dhënë përgjigje lidhur me pyetjet që ajo ka parashtruar rreth planit franko-gjerman. /InLajmi/