Pas gjendjes së vështirësuar nga vërshimet në disa komuna të Kosovës, kryeministri i vendit Albin Kurti, ka vizituar pjesëtarët e FSK-së, të cilët po u dalin në ndihmë banorëve në Istog, përcjell InLajmi.
Kurti së bashku me ministrin Armend Mehaj dhe Elbert Krasniqin janë pritur nga kryetari i komunës së Istogut Ilir Ferati, i cili i ka njoftuar me gjendjen e vështirë të shkaktuar nga vërshimet gjatë ditës së enjte.
Kryeministri ka thënë se Qeveria e Kosovës dhe të gjitha institucionet shtetërore do të qëndrojnë pranë banorëve të komunave ku pati vërshime për t’i ndihmuar e mbështetur.
Postimi i plotë i tij:
Bashkë me ministrin e Mbrojtjes, Armend Mehaj dhe atë të Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, vizituam rreth 20 pjesëtarë të FSK-së, të cilët me kamion ushtarak dhe barkë lundruese, po e bëjnë të pamundurën që t’iu dalin në ndihmë banorëve të fshatit Drejë, në Istog. Aty, te “Ura në Drejë”, mbi lumin Kujavç, na priti kryetari i komunës Ilir Ferati i cili na njoftoi me gjendjen e vështirë dje dhe sot. Më pas shkuam bashkë në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare ku vizituam dy familje të evakuara nga Zallqi: Arton dhe Luljeta Jahajn me katër fëmijë të vegjël, dhe, Avdi e Floreta Jahajn me dy fëmijë të vegjël. Përveç dëmeve të konsiderueshme materiale nuk kemi qytetarë të vdekur e as të lënduar. Edhe Klina, Peja e Gjakova, sikurse edhe Mitrovica, Skenderaj e Podujeva kanë pësuar dëme.
Qeveria e Republikës së Kosovës dhe të gjitha institucionet shtetërore qëndrojnë pranë banorëve të komunave ku pati vërshime duke i ndihmuar e mbështetur ata.
Dëmtimi i brigjeve dhe shtretërve të lumenjve nga eksploatimi i egër i zhavorrit, prerja ilegale e pyjeve ndër vite dhe mungesa e projekteve të pyllëzimit, sistemet jo adekuate të kanalizimit dhe ujëmbledhjes, si dhe ndryshimet klimatike globale i kanë lehtësuar, shpejtuar e shpeshtuar përmbytjet e vendbanimeve nga vërshimet. /InLajmi/