Duke iu përgjigjur situatës së krijuar pas të reshurave të pandërprera, që kanë shkaktuar vërshime dhe dëme të konsiderueshme materiale në Skënderaj, kryetari i Komunës, Fadil Nura dhe nënkryetari Sami Lushtaku, ka zhvilluar një takim në orët e hershme të mëngjesit me Bordin e Drejtorëve, përcjell InLajmi.
Në këtë takim është marrë vendim që të themelohen 11 komisione komunale me nga 5 anëtarë secili, të cilët menjëherë do të dalin në teren për të bërë vlerësimin e dëmeve të shkaktuara.
Për shkak të gjendjes së jashtëzakonshme të shpallur gjatë ditës së djeshme, si pasojë e situatës që kërkon reagim të menjëhershëm në teren, sot një pjesë e shërbimeve komunale është e pamundur të ofrohen.
Komuna e Skënderajt ka njoftuar se nuk do të ketë orar të punës për Ekzekutivin komunal, deri në përfundimin e procesit të vlerësimit të tërësishëm të dëmeve materiale.
Në këtë kuadër, kërkohet nga qytetarët që të ruajnë provat (video-xhirim, fotografi) të dëmeve të pronave të luajtshme dhe të paluajtshme.
Komuna e Skënderajt do të bëjë njoftime të kohëpaskohshme lidhur me situatën në përgjithësi./InLajmi/