Ka përfunduar takimi në mes 5 emisarëve ndërkombëtarë dhe kryeministrit Albin Kurti.
Pas takimit, Përfaqësuesi Special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka thënë se temë diskutimi ka qenë propozimi i planit evropian për normalizimin e raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Tutje, ai shtoi se ka pritur më shumë mirëkuptim në mënyrë që të shfrytëzohet potenciali i këtij propozimi.
“Qëllimi i takimit ishte të diskutojmë propozimin për normalizim që ia kemi paraqitur në shtator e më pas në dhjetor. Kemi më shumë se 2 orë në takim që do të thotë se takimi nuk ishte i lehtë, ishte i gjatë, por shumë i hapur dhe i sinqertë. Është shumë herët të bëjmë ndonjë deklaratë dramatike sepse jemi në mes të misionit dhe do vazhdojmë në Beograd. Nuk mund të them shumë”, ka deklaruar Lajçak, shkruan Klan Kosova.
“Kemi pritur kuptim më të mirë të mundësisë që ofron ky propozim. Shpresoj të arrijmë aty dhe të shfrytëzohet potenciali i plotë i këtij propozimi”, ka shtuar ai.