Pas ardhjes së emisarëve evropianë dhe amerikanë në Kosovë, ish-kryeministri Avdullah Hoti, e ka cilësuar të premten si ditë të rëndësishme për definimin e hapave për procesin e dialogut drejt marrëveshjes përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë, përcjell InLajmi.
Hoti këshillon Qeverinë e Kosovës që të mbështetet fuqishëm në parime për të negociuar drejt marrëveshjes.
Tutje, ai i ka bërë thirrje qeverisë që të mos bëjë kompromise në dialog, por të gjejë modalitete të nevojshme për arritjen e marrëveshjes duke u koordinuar me aleatët ndërkombëtarë.
Ish-kryeministri thekson se marrëveshja duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën, që ruan karakterin unitar të shtetit të Kosovës.
Postimi i plotë i tij:
Sot, është një ditë e rëndësishme që së bashku me aleatët, të definohen hapat në procesin e dialogut për marrëveshjen përfundimtare, ligjërisht të obligueshme, për normalizim të marrëdhënieve dhe njohje reciproke mes Republikës së Kosovës dhe Serbisë.
Marrëveshja duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën, që ruan karakterin unitar të shtetit të Kosovës, që i adreson të gjitha çështjet e hapura mes 2 vendeve një herë e përgjithmonë në mënyrë që 2 vendet të rrugëtojnë drejt integrimit evropian.
Shpresoj që Qeveria dhe ekipi negociator kanë përgatitur planin e tyre dhe propozimet për emisarët për dialog që sot janë në Prishtinë.
KËSHILLË: Mbahuni fuqishëm në parimet që duhet të respektohen në negocimin e marrëveshjes. Mos bëni kompromis në qëllimet e dialogut, por gjeni modalitetet e nevojshme për arritjen e marrëveshjes. Koordinohuni me aleatët tanë! /InLajmi/